Plehrat, secili të dhj..së në shtëpinë e tij
Nga Xhovalin Delija
Në shekullin e XXI-të në botën postmoderne tingëllon paradoksale: por plehrat që na kërcënojnë do të ishin çmimi më i shtrenjtë që Shqipëria ka paguar ndonjëherë për lirinë në historinë e saj. Ata që e kuptojnë (për fat të mirë edhe Presidenti) e dinë që tragjedia e pushtimit nga plehrat është më e madhe se ajo e 7 Prillit të 1939-ës pasi pas një lufte të përgjakshme mund të çlirohesh një ditë, ndërsa nga plehrat do të pushtohemi përjetësisht në rrugë paqësore e demokratike.
I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të reagojnë kundrejt kësaj mynxyre më të zezë se ajo e këmishëzinjve. Mos u gënjeni nga fytyrat hipokrite që shtrëngojnë duart e zbardhin dhembet. Kemi pritur me lule 7 Prillin e zi, mos bëjmë të njëjtën gjë për plehrat me ngjyra. Le të dhjesë secili në nevojtoren e vet: shqiptarët në të vetën, italianët apo cilido tjetër, në të tyren.
Fryhen qeveritarët tanë si kaposhë në pleh për vizat. Jo, nuk na kanë falur liri përkundrazi po na e shesin bile më shtrenjtë se kurrë me plehra. Zoti na ruajt nga kjo skllavëri
Para se të qaja hallin me Savianon, Shën Gjergjin e Italisë e pashë të udhës ti shkruaj dy fjale Kadaresë, profetit të Shqipërisë:
Aty ku na ke lënë në udhëkryq jemi akoma o profeti ynë. Ju thoni se … çdo popull sidomos, populli shqiptar është shume i ndjeshëm ndaj ndjenjës së drejtësisë … (Ismail Kadare – Shekulli 22.12.2010). Na thuaj profeti ynë çna ndan nga drejtësia nga rregulli e nga ligjet e bashkëjetesës qytetare? Nuk dimë? Nuk duam? Apo nuk na lenë?
A mund të pretendojmë drejtësi qytetare e aq me pak mëshirë, nga një sistem i padrejtë, i pafe, madje i korruptuar fizikisht moralisht e politikisht? Alternativa e padrejtësisë nuk është predikimi i mëshirës e as mëshira, por denoncimi i shkakut. Në mënyrë që shkaktarëve të pamëshirë e të pafytyrë tiu tundet kolltuku nën vete e viktima popull të zgjohet e ta njohë padrejtësinë.
Apo fajtorë janë gjithmonë e vetëm komunistët e vdekur?! Po ne të gjallët çfarë bënim atëherë e çpo bëjmë sot?! Atëherë mbollëm atë çka jemi duke ngrënë e sot jemi duke mbjellë atë çka të tjerët do të korrin nesër. Jemi të sigurt për farën e zgjedhur o kopshtar i mirë??
Nuk është e domosdoshme të jesh specialist për të treguar ku të dhemb. Mjafton të jesh i ndershëm me veten. Le ta vëmë gishtin në plagë tek fillesa e mbrapshtë: aty ku komprometohet demokracia. Pse përfaqësuesit e popullit sovran në vend që të zgjidhen direkt nga sovrani popull vazhdojnë të zgjidhen nga krerët e partive me marifete dushku e shkoze? Sepse i shërben popullit e vendit e demokracisë apo interesave të disave sa gishtat e dorës? Një produkt i këtyre marifeteve nuk ka se si të jetë qeveri legjitime. Është logjike që për të mbijetuar, një qeveri e tillë është e detyruar të sundojë e jo të qeverisë, të shtypë opozicionin, të shtypë kritikën, e ti nënshtrohet krimit për të mbuluar krimin.
20 vjet amulli post-komuniste. Jemi viktima dhe spektatorë të këtij teatri banal politik.
Na thuaj profeti ynë ku është e padrejta e ku është qytetaria? Nëse nuk na e thua dot, na mëso si ta njohim të drejtën. Zaten bash për këtë shkrimtari konsiderohet gjysmë-perëndi; jo thjesht se di të shkruajë mbi letër, por sepse vizioni i tij shikon përtej asaj që shohin të tjerët.
*Autori është regjisor e shkrimtar, jeton në Firence