E Diel, 1 Nëntor 2026

Po bëhet një dekadë e gjysmë që, çdo fund viti, shqiptarët përballen me çmendurinë e rritjes së çmimeve në treg

• Eduard ZaloshnjaPo bëhet një dekadë e gjysmë që, çdo fund viti, shqiptarët përballen me çmendurinë e rritjes së çmimeve në treg. Rriten çmimet e gjelave të detit, rriten çmimet e ushqimeve tradicionale të darkës së Vitit të Ri, rriten çmimet e lodrave për fëmijë, dhe rritet për inerci edhe çmimi i ndonjë produkti tjetër. Dhe çdo fundviti, Banka e Shqipërisë dhe specialistë të ekonomisë mundohen të shpjegojnë se në një ekonomi tregu, kur kushtet e tjera që influencojnë çmimet nuk ndryshojnë, kjo rritje vjen si pasojë e rritjes së përkohshme të kërkesës për produktet tradicionale të festës. Dhe si kurrë për çmendurinë e çmimeve, ata sugjerojnë moderimin e blerjeve nga konsumatorët në fund të vitit.Këtij sugjerimi të Bankës së Shqipërisë, shumë shqiptarë të thjeshtë, por edhe disa ekonomistë, i kundërvihen me pyetjen "Po përse nuk rriten çmimet në SHBA para Festës së Falënderimeve apo Krishtlindjeve?". Duke iu referuar SHBA-së, ata praktikisht duan të thonë se, përderisa fenomeni i rritjes së çmimeve nuk ndodh në ekonominë më tipike të tregut, nuk ka pse të ndodhë edhe në Shqipëri. Sipas tyre, një mekanizëm tjetër fshihet pas këtij fenomeni shqiptar. Dhe ky mekanizëm, pretendojnë ata, është monopolizimi i tregtisë së mallrave të konsumit të gjerë.Duke qenë një ekonomist që ka 16 vjet që studion, punon e jeton në SHBA, por që shkruan rregullisht për shtypin shqiptar, mendoj se jam në pozicion të përshtatshëm të shkruaj ca rreshta për t'iu përgjigjur publikisht pyetjes "Përse nuk rriten çmimet në SHBA para Festës së Falënderimeve apo Krishtlindjeve?".Në SHBA, tregu i shitjes me pakicë zotërohet nga kompani gjigande, të cilat furnizohen nga prodhuesit e shumtë të produkteve të konsumit të gjerë. Për shembull, kompania "Wal-Mart" blen rreth 20% të të gjithë mallrave të konsumit të gjerë që prodhohen në botë. Ndërsa, krahasimisht, tregtari më i fuqishëm shqiptar ndoshta nuk blen as një të qindmijtën. Fuqia e madhe blerëse e Wal-Mart-it i jep mundësinë atij të ushtrojë presion mbi prodhuesit e mallrave të konsumit që të ulin çmimet e shitjes me shumicë. Që do të thotë se ulet kostoja e produkteve që Wal-Mart-i shet me pakicë. Në prag të Festës së Falënderimeve apo Krishtlindjes, kompanitë e shitjes me pakicë si Wal-Mart-i etj., të interesuara të rrisin volumin e shitjeve gjatë festave, porosisin sasira shumë më të mëdha produktesh në prag të tyre. Kjo i jep mundësinë që t'i blejnë produktet nga prodhuesit me skonto të ndjeshme. Duke u ulur kostoja e produkteve që ato shesin, kurba e ofertës zhvendoset dhe e ndërpret kurbën e kërkesës në një pikë ku çmimet janë më të ulëta, por edhe ku sasia e produkteve është më e madhe. Pra, atë që kompanitë e shitjes me pakicë "e humbasin" nga ulja e çmimeve, e mbulojnë dhe e tejkalojnë me atë që fitojnë nga rritja e volumit të shitjeve.Po në qoftë se këto kompani, ashtu si tregtarët shqiptarë, do zgjidhnin strategjinë e rritjes së çmimeve e jo të uljes së tyre, ç'do ndodhte? Përgjigjja është e thjeshtë: Volumi i shitjeve do të binte. Pse? Sepse struktura e të ardhurave të konsumatorëve amerikanë e bën elastike kërkesën e tyre për mallrat që shiten në prag të festave të fundvitit.Kështu, në SHBA, rreth 10% e familjeve mund të jenë aq të varfra sa që, edhe po të ulen çmimet, nuk blejnë dot më shumë se një dhuratë në vit për fëmijët. Një 10 përqindësh tjetër është aq i pasur sa nuk ndikohet fare nga çmimet. Ndërsa pjesa e mbetur e familjeve (80%) ndikohet shumë nga çmimet - sa më të ulëta të jenë ato, aq më shumë dhurata blejnë për çdo fëmijë të tyre (dhe të të afërmve). Duke ditur këtë strukturë të të ardhurave mesatare të familjeve amerikane, kompanitë e shitjes me pakicë janë të vetëdijshme se kurba e kërkesës është elastike për shumicën dërrmuese të produkteve që shesin. Dhe ato e dinë mirë se kur kërkesa është elastike, një rritje e çmimeve nga ana e tyre, do të sillte uljen e volumit të shitjeve.  Në vijim, ofroj dy shembuj që e ilustrojnë elasticitetin e kërkesës në SHBA. Në ditën e parë të sezonit të blerjeve për Krishtlindjen (është dita kur mund të kapen çmimet më të ulëta të sezonit), ime shoqe bleu nga pesë dhurata për secilën vajzë. Në qoftë se shitësit do i kishin ngritur çmimet, në vend që t'i ulnin, ajo ndoshta do të blinte vetëm nga dy-tre dhurata për secilën vajzë. Ndërsa ca ditë pas Festës së Falënderimit, ne hodhëm në plehra jo pak ushqime që na kishin bllokuar frigoriferin. Po të kishin qenë çmimet të kripura, ne do ishim treguar më të kujdesshëm në blerjen e ushqimeve për darkën e Festës së Falënderimit. Pra, do të kishim blerë më pak ushqime.  Po në qoftë se ne do të kishim qenë të varfër, si do kishim vepruar? Kam bindjen se, PAVARESISHT NGA ÇMIMET, do i kishim blerë vajzave VETEM nga një dhuratë për Krishtlindje dhe do të kishim blerë VETEM një minimum të domosdoshëm të ushqimeve për Festën e Falënderimit. Ndërkohë, gjatë vitit, nuk do ia kishim lejuar dot vetes atë luks. Po në qoftë se 80% e amerikanëve do të kishin qenë aq të varfër sa të mos ishin në gjendje të blinin më shumë se një dhuratë për fëmijët (për krahasim, 80% e shqiptareve mund të konsiderohen aq të varfër), ç'do kishte ndodhur? Ashtu si në Shqipëri, kurba e kërkesës do të kishte qenë shumë më inelstike në sezonin e festave edhe në SHBA. Si rrjedhim, ulja e çmimeve nga kompanitë e shitjes me pakicë nuk do të sillte rritje të volumit të shitjeve përtej minimumit të planifikuar nga njerëzit për të shpenzuar për festat. Midis strategjisë së uljes së çmimeve në prag të festave dhe asaj të ngritjes së tyre, kompanitë amerikane të shitjes me pakicë zgjedhin të parën, sepse fitimi nga ajo u rezulton më i madh, dhe sepse, parë nga një këndvështrim afatgjatë, u intereson të përforcojnë instinktet blerëse të konsumatorit. Ndërsa tregtarët shqiptarë nuk zgjedhin të njëjtën strategji për arsyen e thjeshtë se po të ulin çmimet, fitimet do t'u pakësohen në vend që t'u shtohen. Dhe, në përgjithësi, tregtarët, kudo në botë, synojnë t'i shtojnë fitimet, jo t'i pakësojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›