E Diel, 1 Nëntor 2026

“Po përballen dhëmbë për dhëmbë me regjimin!”- Protesta e studentëve, Berisha: Kriza e narkoshtetit po thellohet! Rama urdhëroi banditët të thyejnë kockat e të rinjve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me protestën e studentëve në Tiranë, duke e cilësuar atë si revoltën më të fuqishme studentore dhe duke akuzuar qeverinë për përdorimin e dhunës brutale ndaj protestuesve.

sali berisha

Gjatë takimit me kryetarët e degëve të Tiranës, Berisha u shpreh se kriza e narkoshtetit po thellohet çdo ditë, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar policinë të ushtrojë dhunë ndaj studentëve dhe qytetarëve që protestonin.

“Edi Rama, duke urdhëruar narko-banditët e tij për të çarë kafka dhe thyer kocka gjymtyrësh të të rinjve dhe qytetarëve që protestonin në mënyrën më paqësore, detyroi ata të përdorin çdo mjet rrethanor kundër kriminelëve me uniformë, dhunuesve të tyre”, deklaroi Berisha.

Ai pretendoi se mbi 50 studentë dhe qytetarë janë plagosur, duke përmendur raste me thyerje të gjymtyrëve dhe dëmtime në kokë.

Berisha vlerësoi qëndrueshmërinë e studentëve, duke theksuar se ata kanë arsye të shumta për t’u përballur me qeverinë, duke përmendur kostot e larta të qirave, mungesën e strehimit dhe vështirësitë ekonomike të familjeve të tyre.

Sali Berisha: Siç e shihni ju, situata po shkon drejt një situate kritike. Kriza e narkoshtetit po thellohet jo çdo javë, por çdo ditë. Revolta studentore në një afat kohor gjithsej më pak se dyditor, faktikisht është regjistruar si revolta më e fuqishme studentore. Është regjistruar si dhuna më e egër shtetërore e përdorur ndaj protestuesve paqësorë, por nga ana tjetër, edhe vendosmëria ekstreme.

Nuk kanë parë rrugët dhe sheshet e Tiranës luanë si ata studentë. Edi Rama, duke urdhëruar narko-banditët e tij për çarë kafka dhe thyer kocka gjymtyrësh të të rinjve dhe qytetarëve që protestonin në mënyrën më paqësore, detyroi ata të përdorin çdo mjet rrethanor kundër kriminelëve me uniformë, dhunuesve të tyre.

Janë mbi 50 studentë dhe qytetarë të plagosur nga plagë të ndryshme me thyerje të femurit, me thyerje të këmbës, me çarje të kafkës në pjesën frontale që është pjesa më e fortë e saj. Janë me dhjetëra të tjerë me plagosje të tjera në trup, pa llogaritur këtu dhjetëra e dhjetëra të cilëve iu hodhën spraj ariu në sy apo u gjuajtën me brutalitet me topa uji.

Duhet thënë se studentët janë përgjigjur me një heroizëm të vërtetë. Reagimi i tyre lidhet me revoltën e tyre shpirtërore kundër narko-diktaturës.

Por, studentët kanë një seri arsyesh shumë të forta për t’u përballur me këtë qeveri dhe për ta arkivuar atë në banesën e turpit të historisë. Sot në proporcion me të ardhurat, ata paguajnë qira të paktën pesë herë më të lartë se bashkëmoshatarët e tyre kudo që janë.

Ndërtesat që tradicionalisht janë të ndërtuara për strehimin e tyre, mafia shtetërore u ka ndërruar destinacionin, i përdor për përfitime të veta dhe ata i lë para pamundësisë për të paguar qiranë dhe për të ndjekur shkollën.

Studentët kanë pasur një marrëveshje me të pabesin, i cili pa u tha boja, e grisi.

Studentët po luftojnë për vendin e tyre sepse ata duan të ndjejnë Shqipërinë si atdheun e tyre dhe jo si dheun që i përzë ata, që nuk u ofron mundësi të ndërtojnë jetën për shkak të vjedhjeve të kësaj qeverie.

Studentët po përballen dhëmb për dhëmb me këtë regjim edhe në emër të familjeve të tyre, të cilat sot në një numër shumë, shumë të madh, përballen me skamje, me varfëri. Përballen me vështirësi shumë serioze për kafshatën e gojës. Me pamundësi reale për t’u mjekuar.

Këto ditë po lexoja të dhëna. Çfarë tregonin? Ndërkohë që Banka Botërore thotë se mbi 40 përqind e shqiptarëve janë në rrezik varfërie, Edi Rama ka ulur ndihmën ekonomike në 3 miliardë lekë nga 4.5 që ishte. Vendimi cinik dhe i pamëshirë. Dhe sa është ajo? Ajo ka mbetur njëlloj, 74 euro për familje.

Ndërkohë, sipas Bankës Botërore, duhen 250 euro. Sipas Bankës Botërore, për të mos qenë në fashën e varfërisë, duhen 250 euro. Pra, kjo betejë studentore është një betejë për çdo shqiptar dhe për Shqipërinë.

Reagimi brutal i Edi Ramës ndaj studentëve, unë i them çdo shqiptari, tejkalon absolutisht, meqenëse kam qenë dëshmitar në atë protestë, brutalitetin e sampistëve, forcave të Sigurimit dhe Policisë së Shtetit në protestën e 8 dhe 9 dhjetorit. E tejkalon.

Unë u mora pas asaj proteste me të plagosurit. Pata një vajzë një fisurë në një kockë. Nuk pati thyerje gjymtyrësh. Jo. Kurse këtu, ju i patë vetë. Dhe si ia kanë thyer gjymtyrët? Ia kanë thyer duke i rënë me çizme në shkelma mbi të. Pati shkopinj, por nuk pati çarje siç pati qytetari nga Paskuqani sot. Atij i është çarë kafka me të gjitha ekzaminimet dhe nesër ai do ketë ndërhyrje neurokirurgjikale.

Nuk mund të shohësh ndonjëherë në skena që tjetri i shtrirë përtokë dhe pa pritur fare i fut shkelm dhe e godet. Këta janë grupe kriminelësh që i lidh krimi me Edi Ramën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›