Po sikur të funksiononte dhe "Zogu i Zi"?!
U harrua ca si shpejt historia e mbikalimit tek “Zogu i Zi”, madje askush nuk po flet më për dëmshpërblimin e shkatërrimit të tij. Edhe pse ka një vendim gjykate! U harrua sikur të mos kishte ngjarë asgjë me paratë e taksapaguesve shqiptarë me afro 1-2 milionë euro. E harroi pozita që e shkatërroi, e harruan urbanistët e komanduar, që nxorën lloj-lloj pretendimesh e kleçkash, por e ka harruar sot edhe opozita, megjithëse bëri një-dy mitingje në mbrojtje të saj. Ndoshta, edhe në sajë të dëshirës për konstruktivitet apo për një konceptim të një politike të re me frymë mirëkuptimi e tolerance. Por kjo nuk ka pse të lidhet fare me abuzimin e arbitraritetin qeveritar! Aq më tepër me respektimin e zbatimin e ligjit, sidomos kur ka shenja të dukshme për përqendrim pushteti, për një shfrenim antikushtetues e politiko-institucional apo për "nam korruptiv" ekonomiko-financiar! Hedhja poshtë "en bloc" e dekreteve për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë apo tragjedia kriminale e Gërdecit flasin mjaft qartë. Dhe aq mjafton për reagimin e veprimin opozitar...
Sidoqoftë, është vështirë të besohet apo, të paktën, le të shpresojmë që nuk duhet ta kenë harruar “Zogun e Zi”, ngjarjen e hidhur me të qytetarët e Tiranës. Në fakt, a mund të harrohen kaq lehtë pluhuri dhe gropat e rrugës, jo aq gjatë ndërtimit të mbikalimit, sesa gjatë bllokimit disa mujor të punimeve, si dhe gjatë e pas prishjes së tij?! Po paratë e paguara prej tyre?! Por, ama, tek “Zogu i Zi”, na doli në "dritë të diellit" një pallat!...
Këto ditë sapo u inaugurua një mbikalim jo shumë larg atij që u shkatërrua, me një kosto 7-8 milionë euro. Është shumë apo pak kjo shumë, le ta vlerësojnë strukturat përkatëse. Me gjithë zgjidhjen me mbushje, jo aq të përshtatshme për një zonë urbane, por më pak të kushtueshme (siç pohojnë disa specialistë), kjo strukturë rrugore pa dyshim do të krijojë lehtësira qarkullimi, por dhe kursim nervash të qytetarëve. Ndoshta, mund të shfaqen dhe disa probleme ndotjeje të ajrit në zonën përreth në sajë të ndarjes së konsiderueshme "kodrinore" (gati "kështjellore"!) të rrugës. Megjithatë është një përvojë, që duke u modifikuar e përmirësuar, vlen të shtrihet gradualisht edhe në kryqëzime të tjera rrugore jashtë dhe brenda qyteteve. Në këtë kuptim, funksionimi i këtij kalimi, jo vetëm është një gëzim për drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët që udhëtojnë me to, por dhe të ushqen shpresën për të ecur më tej dhe më shpejt me këtë konceptim të domosdoshëm urban. Pa harruar këtu fillimin e ndërtimit të nënkalimeve për këmbësorët në rrugë kryesore të Tiranës apo të disa qyteteve të tjera të mëdha.
A nuk do të ishte e udhës që, fillimisht, gjatë një mandati pushteti vendor të projektohej dhe të ndërtohej, të paktën, një nënkalim në çdo qytet të tillë? Madje, ky të ishte dhe objektivi i përbashkët pushtet qendror-pushtet vendor! Për të arritur kështu tek një infrastrukturë e mirëpritur si për këmbësorët, ashtu dhe drejtuesit e mjeteve të qarkullimit...
Duke diskutuar për këto probleme me shokë e miq, bile me kënaqësinë e prekjes së ndryshimit, pa dashje na u shfaq përsëri "fantazma" e “Zogut të Zi”. Për dy arsye. Së pari, hyrja e Tiranës do të kishte kështu dy mbikalime (nënkalime) konkurruese. Dhe së dyti, edhe pushteti vendor do të nxitej dhe çlirohej në iniciativa të reja, pa pasur frikë që strukturat qendrore nga "xhelozia" apo për "zbehje" elektorale mund t'i bllokonin ato, apo më keq t'i hidhnin në erë, për "kapriço" kryeministrore-ministrore, siç u veprua me mbikalimin e “Zogut të Zi”, disa muaj para zgjedhjeve vendore. Aq më tepër që mësimi dhe mesazhi i dhënë nga vota e qytetarëve të Tiranës, në ato zgjedhje, ishte mëse kuptimplotë. Ai manifestoi jo vetëm dëshirën e ndryshimit, por dhe pakënaqësinë e qytetarëve ndaj arbitraritetit e shkatërrimit, abuzimit me paratë e tyre. Kjo ndodhi, edhe pse u inaugurua me shpejtësi, po aty, një shatërvan, ndoshta, pjesërisht me para buxheti (d.m.th. me para të qytetarëve) pjesërisht me donacione private! Bile u bë dhe një "shaka" bajate që zbardhi "dhëmbë" të zonës rrethuese, duke ngjallur habi e zemërim qytetar.
Por le të shpresojmë që "shaka" të tilla nuk do të kenë më kurajën të përsëriten. Dhe për këtë mos harrimi i “Zogut të Zi” dhe "pay back-u" në zbatim të vendimit përkatës të gjykatës do të ishin shërbimi më i mirë qytetar e politik...