Podesta: Muho u shkarkua me të drejtë, qeveria ka vetëm një interes, zgjedhjet e lira dhe transparente

Grupi i ekspertëve të Podesta
Lobistët e kryeministrit Sali Berisha në Uashington kanë vazhduar punën e tyre duke nxituar menjëherë të dërgojnë e-mail pas votimit për shkarkimin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Muho.
John Anderson i Podesta Group ka dërguar menjëherë një e-mail, pikërisht në kohën kur Uashingtoni kërkonte të mësonte nga ambasada amerikane në Tiranë për situatën.
Në e-mailin e Anderson, si zakonisht sqarohet se ai nuk është zëdhënës i qeverisë, por ka shumë zëdhënësa të tjerë, me të cilët ai mund të rregullojë intervista.
Në fillim të letrës, Anderson ua bën të qartë mediave të huaja se qeveria ka vetëm një interes në lidhje me zgjedhjet e ardhshme: që ato të mbahen në mënyrë të lirë, transparente dhe në përputhje me ligjin.
Siç u kam thënë në një e-mail më herët, përbërja e KQZ-së ka gjeneruar disa debate në Tiranë. Shkurtimisht u sqaroj se:
Duket se një anëtar i KQZ, Ilirian Muho i Lëvizjes Socialiste për Integrim, duhej të ishte ndaluar që të ishte pjesë e KQZ, pasi më përpara është shkarkuar nga detyra e tij si prokuror. Shkarkimi u bë nga presidenti i Shqipërisë në vitin 2003, pasi Muho ishte përfshirë në lirimin e një vrasësi dhe trafikanti armësh, që ishte dënuar në mungesë nga një gjykatë në Itali.
Faktet janë të qarta:
Kushdo që është shkarkuar nga detyra publike nuk mund të jetë anëtar i KQZ-së. Sipas nenit 12, pika e, i Kodit Zgjedhor, çdo qytetar me të drejtë vote mund të jetë anëtar i KQZ, por ai duhet të mos jetë shkarkuar nga detyrat në administratën publike për ndonjë shkelje.
Në një raport të 27 shkurtit 2003, Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku thotë se Muho duhej shkarkuar nga detyra pasi është provuar dhunimi i procedurave ligjore në rastin e vrasësit të dënuar, Aleksandër Kuqo. Raporti sqaron se pasi Kuqo ishte dënuar në Itali dhe ishte arrestuar në Shqipëri, ishte përgjegjësia e Muhos që si prokuror të njihte vendimin për dënimin e Kuqos në Itali. Në vend të kësaj, ai urdhëroi lirimin e tij, shkruhet në e-mail.
Bashkangjitur ai ka dërguar të përkthyer në anglisht nenin përkatës të Kodit Zgjedhor dhe letrën në anglisht të ish- Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku./ep