E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Podkasti i Akademisë Politike të PS-së, Rama: Kush është i këtij krahu le t’i hedhë një sy

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Në podkastin e Akademisë Politike të Partisë Socialiste, ishin të ftuar Blerta Rama, zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dhe Argios Kollçaku, të cilët ndanë rrugëtimet e tyre si dhe rikthimin në Shqipëri.

Ka qenë kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste i cili ka ndarë në rrjetet sociale një pjesë nga episodi i parë “Majtas”, i Akademisë Politike të PS-së.

“Mua më pëlqen shumë ky podkasti i Akademisë Politike të PS! Kush është i këtij krahu le t’i hedhë një sy se s’do zhgënjehet, kush është i krahut tjetër më mirë jo se s’dua të mërzitet nga kontrasti”, shkruan kreu i qeverisë.

Blerta Rama kthehet në Shqipëri pas 11 vitesh emigrimi dhe përvoje akademike e profesionale jashtë vendit.

“Shqipëria është një mundësi për këdo që kthehet një mundësi konkrete për investim. Shqipëria është në një moment historik të saj, ku brenda çdo sfide shikon një potencial për të përmirësuar dhe bërë diçka ndryshe”, tha Rama.

Më tej zëvendësministrja u shpreh se “sot Shqipëria është në një nga momentet saj më të mira, shumë persona po kthehen që të japin kontributin e tyre. Shqipëria 2030 është një vizion dhe mision konkret tashmë, rryma është në favor të Shqipërisë. Pas një shkëputje 11-vjeçare nga Shqipëria, besoj se kisha mbetur pak mbrapa sa i përket realitetit shqiptar dhe Akademia Politike më ndihmoi shumë që të rimerrja të gjitha njohuritë politike dhe të kuptoja pak se çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë 11 viteve të fundit”.

“Shqipëria 2030 është një mision dhe vizion i qartë për qeverinë shqiptare dhe për të gjithë ne që po punojmë. Është një grup i madh profesionistësh që po punon për të bërë realitet këtë vizion”, tha zëvendësministrja.

I ftuari tjetër në podkast, Argios Kollçaku tha se “Shqipëria si entitet është një vend kërkues, sepse meriton më shumë se çfarë ka sot, meriton të jetë pjesë e BE-së, të ketë një ekonomi më të fortë, meriton shumë më shumë dhe në kërkojmë t’i arrijmë sot dhe në të ardhmen”, tha Kollçaku.

I pyetur se çfarë i mungonte nga Shqipëria, Kollçaku tha “ajo që më mungonte më tepër atje dhe gjeta në Shqipëri ishte komuniteti, njerëzit e mi. Duke qenë se jemi një vend në tranzicion na duhet më tepër mbështetja e njëri-tjetrit gjer sa të krijohet këto struktura që kanë qindra vjet në Evropë”.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›