E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradec, mungon shërbimi i telefonisë publike

Në pikun e sezonit turistik në qytetin e Pogradecit mungon shërbimi i telefonisë publike.

Kabinat e telefonave të vendosura në qytet kanë dalë jashtë funksionit dhe nuk punojnë, ndërsa turistët që kanë zgjedhur qytetin e Pogradecit për të kaluar pushimet, ankohen se nuk mund të kryejnë thirrje brenda apo jashtë vendit nëpërmjet kartave të impulseve.

Por edhe pse kabinat në qytet nuk punojnë prej kohësh, kjo nuk ju bëhet e ditur turistëve, të cilët nga ana tjetër paguajnë për blerjen e një karte me 50 apo 100 impulse.

Kanë qenë kryesisht turistët e huaj që janë ankuar për mungesën e këtij shërbimi publik për faktin se ju nevojitet të kryejnë thirrje ndërkombëtare, ndërsa më të paktët kanë qenë turistët shqiptarë që kanë apeluar për këtë shërbim.

“Shitja e kartave vazhdon rregullisht, por turistët nuk mund t’i përdorin ato për faktin se kabinat nuk punojnë. Në qytet janë rreth 15 kabina vetëm në zonën e qendrës, por asnjë nuk është funksionale”, thotë një emigrant që ka ardhur nga Italia me familjen.

Një tjetër turist gjerman thotë se nuk mund të kryejë asnjë thirrje, edhe pse ka disa ditë që qëndron në qytetin e Pogradecit.

“Jam nga Gjermania. Kam ardhur këtu për turizëm. Po përpiqem të flas me të dashurën në Gjermani, por kabinat nuk punojnë. Duhet të vij dhe ta provoj sërish edhe pse jam përpjekur disa herë”, ankohet ai.

Edhe pse qyteti është dyfishuar në numër me mbërritjen e turistëve vendas dhe të huaj që kanë vendosur të kalojnë pushimet verore në plazhet e Pogradecit, autoritetet lokale nuk arrijnë të ofrojnë shërbim publik cilësor.

Sipas të dhënave nga zyra postare, kabinat kanë dalë jashtë funksionit dhe kjo nuk ka ndodhur në këtë periudhë që është sezoni turistik, por problemi qëndron prej disa muajsh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›