E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Gushi grabitës serial, vrau 2 persona, i linte paratë në kazino

TIRANE - Drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj bëri të ditura detajet e arrestimit të vrasësit Viktor Gushi, një ditë më parë në rrugën "Don Bosko" në kryeqytet.
Sipas Çaushaj, hetimet kanë konfirmuar se Gushi është autor i 16 veprave kriminale, kryesisht në Tiranë, që kanë të bëjnë me vjedhjen e disa filialeve të bankave dhe pikave të grumbullimit të parave në degët e Ujësjellësit dhe CEZ-it.

Gjatë tentativave për grabitje Gushi ka shkaktuar 2 viktima, arkëtaren e NGB Bank, Eleonora Kaloçi dhe argjendarin Rrapo Sinanaj në rrugën “Ferit Xhajko”, si dhe ka plagosur 3 persona të tjerë. Sipas kreut të policisë së Tiranës, të gjitha veprat kriminale janë të dokumentuara, të faktuara dhe të pranuara edhe nga vetë autori.

“Ndalimi i 44-vjeçarit u bë në kuadër të operacionit ‘Banka’ i dënuar më parë në Greqi për trafik dhe shpërndarje të lëndës narkotike, pas një hetimi intensiv gjatë të cilit u bë dokumenti i 16 ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura ne harkun 2008-2012″- tha drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj.

Çaushaj bëri të ditur se Viktor Gushi ishte frekuentues i rregullt i lojërave të fatit e kazinove dhe nuk kishte asnjë bashkëpunëtor.
“Kjo është dhe arsyeja pse u zbulua vonë. Po përgatitej të kryente grabitjen e radhës. Gushi ka pranuar krimet dhe ishte shumë korrekt i shpjegonte në mënyrë kronologjike”- tha Çaushaj.

TË AFËRMIT E VIKTOR GUSHIT: DYSHOJMË SE VARI NJËRIN NË ’97
Bashkëmoshatarët e kushërinjtë e Viktor Gushit i gjetëm në një lokal, vetëm 150 metra larg banesës ku ata kanë jetuar familjarisht, por që prej afro shtatë vjetësh nuk jeton njeri.
Pyetjes sonë, se a kishin dijeni që ishte arrestuar Viktor Gushi, ata iu përgjigjën se e kishin marrë vesh nga televizioni “News 24”. “U habitëm, sepse po komentohej shumë, sikur ka kryer mbi pesë vrasje, nuk e dimë se sa e vërtetë është kjo. Çdo gjë do merret vesh në ditët në vijim”, - thanë ata gjatë bisedës që zhvilluam me ta.

Çifti Kozma dhe Sofie Gushi kanë katër djem dhe një vajzë, të gjithë të martuar, përveç Viktorit, i cili është ndarë para vitit 1997-të. Pas vitit 1992 djemtë dhe vajza kanë emigruar në Greqi. Babai i tij Kozmai, ka qenë njeri i nderuar në fshatin Dukas Çoban, që ndodhet vetëm 3 km larg qendrës së Patosit. “Kozmai ka rreth 10 vjet që ka vdekur, pasi ishte i sëmurë nga kanceri në kockë”, - pohuan kushërinjtë dhe disa shokë të Viktorit.

Ata tregonin se ka qenë djalë i qetë e i shoqërueshëm. Nga biseda me të tjerë djem bashkëmoshatarë me të, mësuam se Viktori është përfolur se në 1997-ën ka varur një djalë nga fshati i tij Dukas Çoban. “Se sa e vërtetë është kjo, nuk e dimë shumë saktë, por është folur shumë në ato vite që Viktori e vari, sepse ai u gjet i varur me litar në një degë peme”, – rrëfejnë banorët.

ARRESTIMI
Vetëm 48 orë pas ngjarjes së rëndë, ku humbi jetën arkëtarja Leonora Kaloçi dhe mbeti i plagosur roja i Sigurisë, Skëndër Elmazi, Policia e Tiranës ka arritur të arrestojë mbrëmjen e djeshme autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje. Viktor Gushi, i divorcuar, prej disa vitesh jetonte në kryeqytet në rrugën
“Don Bosko”, në shtëpi të ndryshme me qira, ndërsa pjesa tjetër e familjes së tij jeton në Greqi. Mësohet se Gushi ka pranuar përpara oficerëve të policisë autorësinë e 12 grabitjeve, përfshi këtu vrasjen e 61-vjeçarit Rrapo Sinanaj dhe ngjarjen e ndodhur tre ditë më parë në bankën “NBG”.

(er.nu/GSH/BalkanWeb) Lidhje te tjera Gushi në Facebook, poet dhe manjak femrash të bukura Pranga Viktor Gushit, policia: Vrau arkëtaren dhe argjendarin FOTO: Viktor Gushi, fytyra e të dyshuarit si autori i vrasjes së arkëtares dhe plagosjes së policit të sigurisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›