E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia Kufitare shpëton 11 emigrantë në det pranë grykëderdhjes së Vjosës

Një operacion shpëtimi është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të së premtes, pasi një mjet i vogël lundrues me 11 emigrantë në bord u sinjalizua se ndodhej në rrezik rreth 8 milje larg grykëderdhjes së lumit Vjosë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare u nisën drejt zonës me dy mjete lundruese tip gomone, duke bërë të mundur lokalizimin e mjetit dhe shpëtimin e të gjithë personave që ndodheshin në bord.

Sipas të dhënave paraprake, emigrantët janë shtetas të Haitit, Afganistanit, Liberisë, Pakistanit dhe Bangladeshit. Ata janë transportuar në tokë dhe ndodhen në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku po kryhen procedurat përkatëse.

Autoritetet nuk kanë përcaktuar ende destinacionin e tyre dhe as nëse po tentonin të kalonin ilegalisht drejt Italisë. Këto rrethana pritet të sqarohen pas marrjes në pyetje të tyre dhe vijimit të hetimeve nga strukturat kompetente.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›