Policia: Masa shtesë për aksidentet, më shumë kontrolle me të gjitha paisjet e duhura

Aksidenti tragjik në Durrës, ku fatkeqësisht humbën jetën dy fëmijë pas përplasjes në trotuar nga shoferi i alkoolizuar Nikollë Radaçi, ka bërë që policia të marrë një sërë masash për parandalimin e aksidenteve duke krye monitorim më të rreptë të akseve rrugore. Drejtori i departamentit për rendin e sigurinë publike, Dhimitraq Ziu, lajmëroi masa shtesë kundër aksidenteve, duke theksuar se të gjitha strukturat e policisë rrugore janë pajisur me dronë, kamera, aparate fotografike, aparate alkooltestues dhe drogëtestues, si edhe 22 mjete shpejtësimatëse.
“Shërbimet e Policisë në rrugët interurbane, në zbatim të telegramit të Drejtorit të Përgjithshëm, për të mos ndaluar pa shkak, automjetet në rrugët interurbane, pra në akset rrugore nacionale, do të vijojnë monitorimin e qarkullimit nëpërmjet pajisjeve logjistike dhe patrullave të lëvizshme dhe shkeljet e konstatuara nga mjetet logjistike do të verbalizohen në masa administrative, të cilat do të pasqyrohen në kohë reale në e-Albania””, tha ai.
Policia bëri publike edhe shifrat e aksidenteve për 4 muajt e parë të këtij viti, shkelje rrugore që janë burim për aksidente.
Sipas statistikave, dallohet qartë se numri më i lartë i aksidenteve me pasojë ka si shkak shpejtësinë dhe më pas vjen sjellja e këmbësorëve, 33% e viktimave janë këmbësorë, drejtues motomjetesh dhe biçikletash. Përgjatë këtij 4-mujori janë arrestuar 1009 drejtues automjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi. 82 100 drejtues automjetesh janë ndëshkuar për shpejtësi mbi normat e lejuara, që varojnë nga 20 km/orë mbi normën e lejuar deri në trefish të normës së lejuar.
Sa i takon urdhrit të drejtorit të përgjithshëm për heqjen e patrullave në akset kombëtare, zyrtari i policisë sqaroi se bëhet fjalë për ndalimet pa arsye të qytetarëve.
“Në akset rrugore nacionale, Patrullat e Policisë Rrugore të monitorojnë qarkullimin dhe të evidentojnë kundërvajtësit rrugorë nëpërmjet pajisjeve teknologjike. Punonjësit e Policisë, kur evidentojnë dhe dokumentojnë me mjete logjistike, sjellje agresive të drejtuesve të automjeteve, do të veprojnë në zbatim të Kodit Rrugor.”
Urdhri i Skënder Hitës ka të bëjë vetëm faktin që rrugorja të mos ndalojë mjetet pa arsye në rrugë, pasi në këtë mënyrë bëhen vetë uniformat blu burim aksidenti në autostrada apo rrugë nacionale.
/vizionplus.tv