E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia dhe qytetarët shpëtojnë një grua nga mbytja në Vlorë

Një grua rrezikoi të mbytej të dielën në det në Gjirin e Shën Janit, por u shpëtua falë ndërhyrjes së menjëhershme të qytetarëve dhe Policisë Kufitare.

Gjatë një patrullimi me mjet lundrues, shërbimet e Policisë Kufitare dëgjuan thirrjet për ndihmë nga pushuesit. Gruaja, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, ishte nxjerrë në breg nga disa qytetarë pasi kishte pirë ujë gjatë notimit.

Punonjësit e policisë, së bashku me pushuesit, i dhanë ndihmën e parë dhe më pas e transportuan me mjetin lundrues drejt portit të Vlorës. Pavarësisht përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore gjatë rrugës, ndërhyrja e shpejtë e policisë mundësoi stabilizimin e saj deri në dorëzimin tek ekipi i urgjencës mjekësore.

Sipas policisë, “shtetasja ndodhet jashtë rrezikut për jetën” dhe po merr trajtimin e nevojshëm në Spitalin Rajonal të Vlorës. Policia e Shtetit falënderoi qytetarët për bashkëpunimin e tyre dhe apeloi për kujdes maksimal gjatë pushimeve verore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›