Policia e Durrësit: Arrestimi i ish-kryeinspektorit të IMT, dëshmi e abuzimit me detyrën me qëllim përfitimin

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Vilson Bala, në një konferencë për shtyp, njoftoi arrestimin e ish-kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës, Arduan H., për ndërtim pa leje në objektin “Sent Michele Rezidencë”.
Ish-shefi i IMT-së, gjatë periudhës që ishte në detyrë, ka ndërtuar një kompleks me kabina, një godinë 2-katëshe dhe një pishinë në një sipërfaqe prej 5,600 m2, pa asnjë leje ndërtimi.
Sipas drejtorit Bala, ky rast është dëshmia më e qartë se si zyrtarë të shtetit, duke shpërdoruar detyrën shtetërore, kanë abuzuar me qëllim përfitimin.
Bala paralajmëroi se nuk do ketë asnjë tolerim për zyrtarë e funksionarë të cilët abuzojnë me detyrën.
“Shtetasi A.H., e ka ndërtuar këtë objekt, i cili përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m², gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim. Shkelja e syrit, apo bërja palë me abuzuesit, apo më keq akoma, të ndërtosh vetë pa leje kur je në detyrë për të parandaluar këtë vepër penale, do marrë fund njëherë e mirë në qarkun Durrës”, tha Bala.
Ish-shefi i IMT u referua për ndjekje penale për “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Korrupsion i zyrtarëve të lartë”. Gjithashtu, gjatë operacionit “The Next Gun”, u arrestuan dy shtetas me rrezikshmëri të lartë, të cilëve iu gjet një armë zjarri pistoletë. Drejtori Bala ftoi qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri dhe theksoi vazhdimin e angazhimit të policisë për të garantuar rendin dhe sigurinë, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
/rtsh.al/