E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Durrësit, kontrolle për nivelin e zhurmave në zonat turistike gjatë sezonit veror

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Policia e Durrësit ka vijuar kontrollet në zonat turistike të qytetit për monitorimin e nivelit të zhurmave dhe garantimin e qetësisë publike gjatë sezonit turistik veror.

Në kuadër të masave sensibilizuese, strukturat e Policisë së Durrësit kanë zhvilluar takime informuese me administratorë dhe pronarë subjektesh, kryesisht në zonat turistike, aktivitetet e të cilëve gjenerojnë zhurma nga transmetimi i muzikës.

Sipas Policisë, krahas masave sensibilizuese ka nisur edhe zbatimi i detyrave të parashikuara në planin e masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit veror.

Strukturat e sigurisë publike të Komisariatit të Policisë Durrës kanë ngritur grupe kontrolli në terren, bazuar në hartëzimin e zonave me ndotje akustike. Gjatë kontrolleve janë testuar me matës të posaçëm zhurmash ambiente dhe subjekte të hapura e të mbyllura në zona turistike, me qëllim verifikimin e respektimit të niveleve të lejuara.

Nga matjet e kryera, sipas procedurave standarde të përcaktuara për këtë qëllim, rezultoi se nivelet e zhurmës ishin brenda kufijve të lejuar.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve është verifikuar edhe respektimi i orarit të lejuar për transmetimin e muzikës në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Policia e Durrësit bën të ditur se do të vijojë kontrollet dhe masat për garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët gjatë gjithë sezonit turistik.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›