Policia e Kosovës: Nuk ka pasur incidente me serbët

Pejë, 21 prill, NOA - Policia rajonale e Pejës
ka hedhur poshtë informacionet që flasin për një sulm ndaj disa serbëve të
cilët ishin vendosur në një tendë të UNHCR-it në fshatin Zallq. Zëdhënësi i policisë rajonale të Pejës, Zeqir
Kelmendi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë së gjatë mbrëmjes të së martës, policia ka
marrë informata për dy raste të hedhjes së gurëve në tendat ku janë të vendosur
serbët.
Në kohën kur janë paraqitur rastet, sipas Kelmendit, patrullat policore kanë qenë afër vendit ku supozohet të ketë ndodhur incidenti.
Ai theksoi se pas inspektimit të vendit të ngjarjes nuk kanë mundur të gjenden shenja që flasin për një sulm.
Nuk ka të lënduar, nuk ka dëme materiale; janë gjetur disa guralecë të vegjël por të tillë kishte shumë rreth tendave. Nuk ka evidencë, sepse policia ka qenë shumë afër dhe nuk ka mundur të vërehet asgjë, deklaroi Kelmendi.
NOA