E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Lezhës kontrolle ndaj automjeteve luksoze, bllokohet “Rolls-Royce”, nis hetimi pasuror për pronarin

Strukturat e Policisë së Lezhës kanë shtuar kontrollet ndaj automjeteve luksoze, me qëllim evidentimin dhe verifikimin e mjeteve që dyshohet se mund të jenë përfituar nga veprimtari kriminale, si dhe parandalimin e trafikimit të tyre.

Në kuadër të këtij operacioni, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Policisë Rrugore, kanë kontrolluar një automjet luksoz të konstatuar në qytetin e Lezhës.

Sipas Policisë, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare ka kryer verifikime lidhur me origjinën e automjetit, historikun e blerjes, shitjes dhe posedimit të tij, si dhe mbi pronësinë dhe burimin e të ardhurave me të cilat është blerë.

Në përfundim të verifikimeve, automjeti tip “Rolls-Royce” është bllokuar administrativisht për mungesë dokumentacioni.

Ndërkohë, ka nisur edhe hetimi pasuror për pronarin e automjetit, shtetasin me inicialet F. M., banues në Mbretërinë e Bashkuar.

Policia e Lezhës bën me dije se kontrollet e përbashkëta dhe verifikimet ndaj automjeteve luksoze do të vijojnë, me qëllim evidentimin e pasurive që dyshohet se kanë burim kriminal, si dhe goditjen e pastrimit të produkteve të veprimtarive kriminale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›