E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Shtetit dhe ARRSH forcojnë bashkëpunimin për monitorimin inteligjent të trafikut

Policia e Shtetit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar kanë diskutuar për forcimin e bashkëpunimit institucional në funksion të rritjes së sigurisë rrugore dhe përdorimit të teknologjisë së avancuar për monitorimin e trafikut.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, së bashku me drejtues të departamenteve të rendit dhe policisë rrugore, zhvilloi një vizitë në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, ku u prit nga drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli.

Gjatë takimit u diskutua mundësia që Policia e Shtetit të ketë akses në pamjet e kamerave dhe radarëve të instaluar në akset rrugore, si dhe në pajisjet që pritet të vendosen në të ardhmen.

Sipas palëve, këto të dhëna do të shërbejnë jo vetëm për identifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të qarkullimit rrugor, por edhe për rritjen e sigurisë publike dhe mbështetjen e hetimeve për ngjarje kriminale.

Drejtori Hita theksoi se përdorimi i teknologjisë inteligjente do të ndihmojë në uljen e kontaktit të drejtpërdrejtë të policisë me qytetarët në terren, duke rritur efikasitetin dhe transparencën në zbatimin e ligjit.

Nga ana e tij, Kozeli vlerësoi bashkëpunimin mes institucioneve dhe u shpreh se koordinimi i mëtejshëm do të ndikojë në përmirësimin e sigurisë në rrugë dhe standardeve të monitorimit të trafikut.

Në përfundim të takimit, u ra dakord për thellimin e bashkëpunimit dhe kalibrimin e radarëve në akset rrugore dhe tunele, me qëllim përdorimin e plotë të sistemit për kontrollin dhe dokumentimin e shkeljeve rrugore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›