E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Shtetit perjashton Premcin

Pas lëshimit të akuzave të ashpra të Shemsi Premçit për lidhje mes “mafias së kromit” dhe krerëve më të lartë të Policisë së Shtetit, kjo e fundit ka marrë sot vendimin për përjashtimin nga radhët e saj të ish-kryepolicit të Dibrës.

Vendimi është bërë publik mesditën e sotme, ku në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit ka sqaruar se Drejtues i Parë Shemsi Prençi është përjashtuar nga radhët e policisë për kryerje të veprimeve të pahijshme, si dhe shkelje ose mosushtrim i kompetencave të Policisë. Në deklaratën publike është sqaruar se pas fillimit të ushtrimit të detyrës prej tij, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë ardhur në mënyrë të përsëritur një numër ankesash.

“Drejtues dhe oficerë të policisë së këtij qarku janë ankuar për kërcënime, shantazhe dhe transferime në detyrë të tyre, në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e Personelit të Policisë së Shtetit nga ana e Drejtorit Shemsi Prençi. Autoritetet vendore, ankoheshin për kapërcim të kompetencave dhe dhunim të akteve të përbashkëta të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Punës dhe Ministrisë së Financave për ngritjen dhe funksionimin e një TASK-FORCE në Qarkun e Dibrës, nga ana e drejtorit të policisë Shemsi Prençi. Zyra Përmbarimore e Rrethit Mat, për fyerje dhe pengim të ekzekutimit të vendimit gjyqësor nga ana e drejtorit të Policisë Shemsi Prençi. Zyra Përmbarimore Private për fyerje dhe pengim të ekzekutimit të vendimit gjyqësor nga ana e drejtorit të policisë Shemsi Prençi, ndërsa subjektet private të licencuara në shfrytëzimin e mineralit të kromit për veprime në tejkalim të kompetencave dhe shantazhuese për shkak të konkurrencës tregtare, nga ana e drejtorit të policisë Shemsi Prençi”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit. Më tej në deklaratë theksohet se më datën 24 prill u urdhërua pezullimi i përkohshëm i tij nga detyra, ndërkohë që në ngarkim të tij ishin marrë edhe 2 masa të mëparshme disiplinore, për shkelje gjatë ushtrimit të detyrës.

Shemsi Prençi më datën 25 prill dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të policisë së qarkut Dibër, detyrë që e mbante prej fillimit të muajit shkurt të këtij viti. Në një prononcim për mediat, Prençi deklaroi se ishte i detyruar të largohej, sepse kishte humbur betejën me “mafian e kromit”, e cila shtrihet nga Bulqiza, te Policia e Shtetit deri tek qeveritarët dhe kryeministri i vendit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›