Policia e kërkonte prej dekadash, i dënuar për 3 vrasje, arrestohet Valentin Ftoni në SHBA

Valentin Ftoni, i arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas dekadash në kërkim, është dënuar në Shqipëri me dy dënime të veçanta, nga 25 vite burg secili, për tri vrasje. Emri i tij lidhet me ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në fund të viteve ‘90 dhe në fillim të viteve 2000.
Njëri prej dënimeve lidhet me vrasjen e Tom Gacit, në vitin 1998. Dënimi tjetër është dhënë për vrasjen e çiftit Gjelosh dhe Ardiana Markaj, të kryer në vitin 2000. Në total, Ftoni është dënuar për tri vrasje, me dy vendime që parashikojnë nga 25 vite burgim.
Përveç këtyre dy çështjeve, Valentin Ftoni është gjykuar edhe për një tjetër ngjarje të rëndë kriminale. Bëhet fjalë për vrasjen e Behar Becit, të ndodhur në vitin 2001. Për këtë rast, ai është shpallur i pafajshëm, ndaj ngjarja nuk përfshihet në vrasjet për të cilat është dënuar.