Policia godet piramidat online në Fier, arrestohen 6 persona, 2 në kërkim. Mashtruan qindra qytetarë

Një operacion i gjerë është zhvilluar nga Policia e Fierit në të gjithë qarkun për goditjen e piramidave online përmes të cilave mashtroheshin qytetarët shqiptarë ku përmes investimit të shumave të parave u premtoheshin fitime më të mëdha.
Drejtuesja e departamentit për krimin kibernetik, Ervina Gjana u shpreh se këto hetime kanë nisur prej disa muajsh është shtrirë në disa qytete ku janë lëshuar mbi 80 urdhra kontrollesh.
“Operacioni u shtri në qytetet Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh dhe u ushtruan gjithsej 83 kontrolle persoansh dhe banesash. Hetimi ka dokumentuar aktivitetin e një rrjeti individësh që vepronin si agjentë kryesorë, duke promovuar platforma të rreme investimi nëpërmjet të cilave qytetarëve u premtohej fitim i shpejtë dhe i sigurt”, tha Gjana.
Komunikimi me viktimat sipas policisë bëhej në aplikacionin Telegram ku jepeshin udhëzimet për investimet në kriptomonedha.
“Këta individë, të pozicionuar në nivelet e para të zinxhirit të skemës, kishin rol kyç në rekrutimin e pjesëmarrësve të rinj dhe në orientimin e tyre përmes grupeve të mbyllura në aplikacione si Telegram. Aty ata udhëzoheshin se si të investonin në kriptomonedha si USDT dhe TRON me idenë se përmes këtyre investimeve do të shumëfishonin fitimet e tyre”.
Drejtuesi i Policisë s Fierit, Skënder Hitaj tha se në total janë arrestuar 6 persona ndërkohë 2 të tjerë janë shpallur në kërkim ku shpjegoi edhe rrugën sesi rekrutoheshin viktimat.
“Nga hetimet rezulton se këta shtetas kanë vepruar si agjentë kyç të kësaj skeme mashtruese. Skema funksiononte mbi modelin klasik piramidal: qytetarët që investonin, udhëzoheshin të sillnin të paktën 5 persona të tjerë në system, për të rritur përfitimet e tyre. Sa më shumë persona të sillje dhe sa me e madhe vlera e investuar, aq më shumë të ardhura të premtuara”, tha Hitaj.
Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 50 celularë, lap-topë, shuma të mëdha parash etj./vizionplus.tv