Policia kontrolle për nivelin e zhurmës së muzikës në Shkodër e Velipojë

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Policia e Shkodrës dhe stacioni i policisë Velipojë, gjatë këtyre ditëve, sipas hartëzimit të zonave me risk për ndotje akustike, kanë organizuar grupe kontrolli në terren për të testuar me matës të zhurmën, në disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në Shkodër dhe në Velipojë.
Sipas policisë, matjet e realizuara, sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.
Gjithashtu policia bëri me dije se, krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë kryer kontrolle dhe për respektimin e orarit të lejuar për aktivitetet me muzikë, në ambiente të hapura dhe në qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.
/m.q/ /a.g/