Policia liron drejtorin e burgut, vëllai i tij shpallet në kërkim për 4 mijë rrënjë kanabis

Pa kaluar as 12 orë nga vetëdorëzimi në polici, drejtori i burgut të Rrogozhinës është liruar nga paraburgimi, pasi u shpall më herët në kërkim nga blutë i akuzuar për 4 mijë rrënjët kanabis që u gjetën brenda objektit të tij në një fshat të Peqinit.
Sipas burimeve, Bilal Hasa, ka thënë se nuk e ka idenë se kush e ka mbjellë kanabisin brenda objektit, pasi sipas tij ka shumë muaj pa shkuar atje. Madje ai ia ka kaluar përgjegjësinë të vëllait duke thënë se për këtë banesë kujdesat ai. Në këto kushte, policia e Elbasanit ka shpallur në kërkim Romario Hasën.
Në kërkim gjithashtu është edhe përgjegjësi i OSHEE-së në zonën e Peqinit Ervis Maçi që akuzohet për shpërdorim detyre. Lirimi i Bilal Hasës ndodhi pa shkuar dosja e plotë në Prokurorinë e Elbasanit me materialet përkatëse, pasi policia bëri verifikimet dhe nisur nga dëshmitë por edhe disa veprime hetimore, vendosi ta hetojë në gjendje të lirë.
Gjatë operacionit të policisë nuk u gjet asnjë person brenda godinës e cilia ishte kthyer në një shtëpi bari me të gjitha pajisjet e instaluara për kultivimin e kanabisit. Sipas grupit hetimor, operacioni mund të jetë dekonpiruar, pasi një laborator i tillë me 4 mijë rrënjë kanabis këkron patjetër persona që të përkujdesen për bimët.
Brenda godinës janë gjetur gjurmë AND-je dhe prova të tjera të cilat janë dërguar në laboratorin shkencor të policisë. Nderkohe një transformator që mund të shërbejë për furnizimin me energji të një lagjeje të tërë ishte vendosur në dispozicion nga OSHEE për këto magazina, ku dyshimet janë ngritur pikërisht naj zyrtarit të OSHEE, Ervis Maçi se mund të ketë bashkëpunuar me kultivuesit e kanabisit.