Policia, pranga 4 të rinjve, dy në Spitalin Ushtarak me fraktura
Policia e Tiranës ka arrestuar dje katër persona, të cilët i akuzon se kanë sharë ofenduar dhe goditur punonjësit e policisë gjatë orëve të natës. Sipas policisë, katër personat nga Puka i kanë sulmuar pa asnjë shkak ndërkohë që më parë kishin bërë zhurmë përpara një lokali. Por një tjetër version jepet nga vetë të arrestuarit dhe familjarët e tyre. Sipas dy prej tyre, policia i ka rrahur dhe janë dërguar për tu mjekuar në Spitalin Ushtarak pasi kishin hematoma dhe fraktura në trup. Ata kanë bërë një ankesë zyrtare të institucionin e Avokatit të Popullit, i cili ka nisur verifikimin e ngjarjes dhe në fillim të javës do të dalë me një raport zyrtar.
Policia
Burimet zyrtare të policisë njoftuan dje se janë arrestuar shtetasit Ilir Preng Lasku, vjeç 24, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë; Grand Arben Frroku, vjeç 20, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë; Mark Preng Frroku, vjeç 39, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë dhe Lekë Zef Toma, vjeç 30, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u bë pasi rreth orës 03:00 është marrë informacion nga Salla Operative e Policisë së Tiranës se në vendin e quajtur Bulevardi Bajram Curri, pranë pallatit me shigjeta, në një lokal ka zhurmë dhe një konflikt. Në vendngjarje janë dërguar dy patrulla të përgjithshme, ku kanë marrë takim me disa persona jashtë ambienteve të lokalit, të cilët pa asnjë lloj shkaku dhe sqarimi, kanë filluar të shajnë, ofendojnë dhe më pas kanë goditur punonjësit e policisë, si dhe dëmtuar me gurë e mjete të tjera të forta një nga automjetet e policisë,- thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës. Sipas saj, në vendin e ngjarjes janë dërguar edhe disa makina të tjera policie dhe më pas është bërë shoqërimi i katër personave në komisariat. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gurë, shishe birre, një tub plastik, si dhe sende të tjera, të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar ndaj punonjësve të patrullës së përgjithëshme dhe automjetit të policisë,- thuhet në njoftimin e policisë. Sipas tij, katër pukjanët e arrestuar akuzohen për kundërshtim të punonjësit të policisë, goditje për shkak të detyrës si dhe shkatërrimit të pronës me mjete të tjera.
Denoncimi
Por situata nuk është treguar e tillë nga familjarët e të arrestuarve. Ata janë ankuar në polici se njerëzit e tyre janë rrahur dhe arrestuar pa të drejtë. Më pas familjarët e dy prej të arrestuarve kanë kontaktuar me Avokatin e Popullit përmes numrave publikë enkas për këto raste dhe kanë bërë një ankesë për dhunë të ushtruar ndaj Ilir Laskut dhe Grand Frrokut. Sipas familjarëve, ata janë arrestuar pa asnjë shkak nga policia, e cila kishte dalë për të mbyllur lokalet e natës. Familjarët janë denoncuar se ata janë rrahur barbarisht nga policia dhe nuk janë dërguar në komisarit, por në Spitalin Ushtarak pasi kishin hematoma dhe fraktura në trup. Avokati i Popullit ka dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak një nga grupet që verifikojnë ankesat dhe ka rezultuar se denoncimi i familjarëve ishte i vërtetë. Më pas edhe vetë Avokati i Popullit, Igli Totozani ka takuar dy të dëmtuarit në spital. Burime nga institucioni i Avokatit të Popullit thanë se çështja në fjalë po verifikohet dhe në fillim të javës do të dalë edhe një raport zyrtar për këtë rast. / E.Janina