E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia zbardh detajet e helmimit të 6 fëmijëve në një kopsht në Korçë, nën hetim për shpërdorim detyre drejtoresha e institucionit dhe një mjeke

Policia ka vënë nën hetim për shpërdorim detyre një mjeke dhe drejtoreshën e kopshtit publik në Korçë ku ndodhi helmimi i 6 fëmijëve.

Mjekja, 57 vjeçe, nuk ka njoftuar policinë për paraqitjen e fëmijëve me simptoma të njëjta që vinin nga kopshti. Drejtoresha, 60 vjeçe, është vënë nën hetim për moskontrollimin e ushqimit që të vegjlit kanë konsumuar.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetaset:

  1. X., 57 vjeçe, me detyrë mjeke pranë Spitalit Rajonal Korçë, në pavijonin e Pediatrisë;
  2. K., 60 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e kopshtit ku qëndronin fëmijët që ishin paraqitur në spital.

Procedimi penal filloi pasi, gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, janë paraqitur në spital 6 fëmijë nga i njëjti kopsht, me simptoma të njëjta gastrointestinale, dhe mjekja nuk ka njoftuar Policinë.

Ndërsa drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional lidhur me kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›