Politico: NATO po shqyrton vendosjen e 300 mijë trupave në kufirin me Rusinë

NATO po shqyrton nevojën për të forcuar kufijtë lindorë me Rusinë përmes armatimeve dhe një kontingjenti ushtarak prej deri në 300 mijë ushtarë, me qëllim që të pengojë Rusinë që të zgjerojë luftën përtej Ukrainës.
Politico shkruan se NATO synon të ndalojë Rusinë nëse vendos të zgjerojë luftën përtej Ukrainës dhe për këtë arsye, Aleanca po shqyrtoj forcimin e kufijve të saj lindorë dhe nevojën për të dërguar deri në 300 mijë trupa në kufi.
Veprime të tilla do të kërkojnë koordinim dhe përpjekje të mëdha nga 30 anëtarët e NATO-s për të siguruar ushtarë, objekte trajnimi, sasi të mëdha armësh, pajisje dhe municione.
Megjithatë, Politico thekson se koordinimi mund të jetë sfidues, pasi shumë aleatë tashmë janë të shqetësuar për rezervat e tyre të pamjaftueshme të municioneve, të cilat kërkojnë kohë dhe para.
“Krerët ushtarakë të NATO-s do të paraqesin planet e përditësuara të mbrojtjes rajonale. Zyrtarët e Aleancës po parashtrojnë idenë se kufijtë e saj me Rusinë duhet të ruhen nga deri në 300,000 trupa”, shkruan Politico.
Gjithashtu, evidentohet se skaloni i parë i trupave të NATO-s mund të përbëhet nga rreth 100 mijë ushtarë, gati për t’u vendosur brenda 10 ditëve, ku mund të përfshijë trupa nga Polonia, Norvegjia, Estonia, Letonia dhe Lituania.
“Skuadra e dytë do të mbështesë këta ushtarë, të gatshëm për t’u dislokuar brenda 10-30 ditëve nga vende si Gjermania”, përfundon në shkrimin e saj Politico.
/rtsh.al/