Politika konstruktive rajonale

Nga Sali Berisha *
Është një kënaqësi e veçantë për mua të marr pjesë sot, në këtë konferencë, e cila zhvillohet në një çast shumë të rëndësishëm të zhvillimit të marrëdhënieve të vendeve tona me Bashkimin Europian, por edhe të evoluimit të këtij të fundit pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Ndaj, gjej rastin të falënderoj mikpritësit tanë, kryeministrat Kosor dhe Pahor për ftesën dhe organizimin e shkëlqyer të kësaj ngjarje.
Shqipëria përshëndet hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Ne jemi thellësisht të bindur se ky Traktat do ti japë një frymëmarrje të re ëndrrës për një Europë të vetme, të bashkuar e të lirë, por do të sjellë, njëkohësisht, një bazë të re ligjore për funksionimin e këtij Unioni dhe një rritje të kapaciteteve integruese të tij për Europën Juglindore.
Gjatë muajve të fundit, rajoni ynë ka hedhur hapa të rëndësishëm përpara, në kuadër të procesit të integrimit në BE e të proceseve të tjera, të lidhura me të, të cilat afrojnë vendet tona në lidhje gjithnjë e më të ngushtë me familjen europiane të vlerave të përbashkëta. U bë propozimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe u sinjalizua përfundimi i shpejtë i negociatave të anëtarësimit të Kroacisë. Shqipëria e ka në fuqi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në. Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë paraqitur kërkesën për anëtarësim dhe ndodhen jo shumë larg njëra - tjetrës në procesin e plotësimit të Pyetësorit. Ndërkohë, janë liberalizuar vizat për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi dhe ne presim që kësaj liste ti bashkohet së shpejti Shqipëria dhe BosnjëHercegovina, por edhe Kosova të ketë procesin e saj me një udhërrëfyes konkret.
Ndërkohë, Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtarë të plotë të NATO-s në Samitin e Strasbourg/Kehl-it, në prill 2009, një ngjarje kjo historike për këto dy vende, por edhe mbarë rajonin.
Proceset e integrimit në Bashkimin Europian janë shndërruar në udhërrëfyes real dhe shtysë jashtëzakonisht efikase për reforma e për modernizimin e mëtejshëm të vendeve tona. Ne i konsiderojmë këto reforma jashtëzakonisht dobiprurëse, në radhë të parë, për zhvillimin e vendeve tona e për përmirësimin e standardeve të jetesës së qytetarëve të tyre, ndaj mbështesim përqasjen progres i bazuar në performancën individuale.
Nga ana tjetër, proceset e integrimit në BE dhe në NATO kanë shërbyer si katalizatorë të fuqishëm në promovimin dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal e në transformimin rrënjësor që rajoni ynë ka përjetuar gjatë dekadës së fundit, duke u shndërruar gjithnjë e më shumë, në mjedis paqeje e sigurie. Vendet e rajonit tonë janë të vendosura për të forcuar bashkëpunimin në të gjitha fushat, në kuadrin europian dhe të nismave të sigurisë, por edhe në kuadrin rajonal e atë dypalësh, në interes të paqes e të prosperitetit të secilit vend, si dhe të rajonit, në tërësi.
Në këtë kontekst, jemi mbledhur sot, këtu, për të ripohuar vendosmërinë dhe angazhimin tonë të padiskutueshëm, për të vijuar me procesin e reformave për demokratizim dhe konsolidim të mëtejshëm të standardeve europiane, brenda vendeve tona, po njëkohësisht, për të demonstruar vullnetin tonë të fuqishëm për ta shndërruar realisht Ballkanin Perëndimor në një rajon, ku mbizotëron fryma europiane e bashkëpunimit të gjithanshëm dhe e përpjekjeve të përbashkëta për integrim e prosperitet. Gjej rastin të shpreh mirënjohjen ndaj Bashkimit Europian, institucioneve të tij dhe vendeve anëtarë, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë vendeve tona dhe rajonit, në përgjithësi, në përpjekjet europianizuese. Në veçanti, dëshiroj të shpreh mirënjohjen ndaj presidencës spanjolle për përkushtimin dhe rëndësinë që i ka kushtuar rajonit tonë dhe perspektivës së tij europiane. Në këtë kontekst, Ministeriali i ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor do të jetë një kontribut qartësisht pozitiv, të cilin ne e mbështesim fuqishëm.
Zonja dhe zotërinj,
Shqiptarët besojnë fuqishëm në rikthimin e vendit të tyre në familjen e vlerave të përbashkëta europiane, ndaj janë krenarë që projekti madhor kombëtar i anëtarësimit në BE vijon të mbështetet nga mbi 94 përqind e opinionit publik dhe nga të gjitha forcat politike në vend.
Mbështetur në këtë përkrahje publike, qeveria shqiptare dhe mazhoranca e koalicionit e ndërtoi programin e saj elektoral dhe atë qeverisës për mandatin e dytë, bazuar tërësisht në përparësitë e axhendës së anëtarësimit në BE. Rekomandimet e Progresraportit të Komisionit Europian dhe përparësitë europiane kanë qenë dokumentet bazë udhërrëfyese, ku ne u mbështetëm për hartimin e përparësive të politikës sonë për katër vitet në vijim, ndaj edhe në Shqipëri, ky koalicion njihet gjerësisht si qeveria e integrimit europian.
Më lejoni, të nderuar kolegë, të ndalem pak më gjerësisht dhe të ndaj me ju rezultatet e arritura në disa nga fushat parësore, gjatë kësaj periudhe.
Gjatë dy dekadave të fundit të tranzicionit, zhvillimi i zgjedhjeve të lira ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për demokracinë shqiptare në periudhën postkomuniste.
Më 28 qershor, Shqipëria zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat u vëzhguan nga 510 vëzhgues të OSBE/ODIHR dhe institucione të tjera ndërkombëtare dhe u vlerësuan si zgjedhjet që përmbushën standardet kryesore të OSBE/ODIHR dhe që në të cilat nuk pati asnjë evidencë për manipulim rezultati apo numërim të parregullt. Zgjedhjet e 28 qershorit janë zgjedhjet e para në historinë e vendit, të cilat u firmosen papërjashtim, nga të gjithë komisionerët e të gjithë forcave politike. Rezultati i tyre u certifikua 7 me 0 nga të gjithë anëtarët KQZ-së, të zgjedhur nga pozita dhe opozita në mënyrë konsesuale. Kjo, sepse ato ishin unike në transparencën e tyre, ku çdo komisioner dhe çdo vëzhgues në procesin e numërimit kishte të drejtën e vetos në kundërshtinë e tij. Dhe gjatë numërimit, çdo vote u filmua, u fotografua dhe transmetua live në qendrën e numërimit dhe në kohë reale në KQZ.
I menjëhershëm ishte reagimi i Bashkimit Europian. Ministrat e Jashtëm, të mbledhur në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme dhe Marrëdhënieve me Jashtë (GAERC) morën më 16 nëntor 2009, një vendim historik, duke i kërkuar Komisionit të përgatisë opinionin mbi aplikimin, më 28 prill 2009, të Shqipërisë për anëtarësim në BE.
Më 16 dhjetor 2009, qeverisë shqiptare iu dorëzua Pyetësori nga Komisioni Europian. Gjatë këtyre dy muajve, qeveria dhe institucione të tjera të përfshira kanë bërë një punë të jashtëzakonshme e intensive, duke përfunduar draftin e parë të përgjigjeve të Pyetësorit, i cili po përkthehet dhe do ti dorëzohet së shpejti Komisionit Europian. Dëshiroj, me këtë rast, të rishpreh mirënjohjen time dhe të qeverisë ndaj Komisionit për punën e jashtëzakonshme në këtë drejtim dhe për mbështetjen e pakursyer që i ka dhënë në vazhdimësi vendit tim. Pas dorëzimit të përgjigjeve, ne kemi besim se ky angazhim i jashtëzakonshëm i Komisionit do të vazhdojë dhe në muajt në vijim, do të mundësohet hartimi i opinionit dhe marrja e vendimit historik për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
Viti i kaluar shënoi krizën më të rëndë ekonomike, financiare botërore, që pas Depresionit të Madh. Natyrshëm, Shqipëria i ndjeu pasojat e kësaj krize, të shfaqura me ulje eksportesh apo reduktim të kreditimit. Sidoqoftë, në dallim nga trendi europian