E Diel, 1 Nëntor 2026

Politikan Edi Rama?

• Eduard ZaloshnjaPara ca ditësh, Ilva Tare argumentonte në faqet e “Panorama” se, “Edi Rama nuk është politikan, e për pasojë, nuk ka as vizionin dhe as peshën e duhur të një shtetari të nesërm”. Spunton për të bërë këtë argumentim, analistja Tare, si edhe disa analistë të tjerë para saj, e mori nga një deklaratë e Ramës gjatë festimit të 16-vjetorit të themelimit të organizatës së rinisë socialiste. Por nga mënyra e ndërtimit të argumentit të Tares, duket ...qartë se ajo ngatërron politikanin me shtetarin. Ose më tej akoma, ajo ngatërron dy kuptimet që fjala politikë ka në shqip. Në gjuhën e përditshme, ne e përdorim këtë fjalë si në rastin kur flasim për veprimtarinë që ka në bazë të saj konkurrencën e partive apo individëve për pushtet (në anglisht: politics), ashtu edhe kur flasim për një kurs të caktuar veprimi që qeveri, parti, apo organizata të ndryshme përzgjedhin midis disa alternativave të mundshme (në anglisht: policy). Parë nga këto dy këndvështrime, politikan i mirë është ai që di të fitojë garën.  Ndërsa shtetar i mirë është ai që zgjedh një kurs veprimi të tillë, që eventualisht jep rezultate të ndjeshme në zhvillimin e vendit, pavarësisht se kursi që zgjedh mund të mos i japë domosdoshmërish avantazh në garën për pushtet. Meqenëse kam jetuar 16 vjet në SHBA, nuk mund t’i rezistoj ngasjes për ta ilustruar idenë e mësipërme me shembullin që vijon nga politika amerikane. Para ca ditësh, Barak Obama, një nga kandidatët kryesorë demokratë për President të SHBA-së, deklaroi se Presidenti Regan, duke i mbushur mendjen shumicës së amerikanëve (të djathtë e të majtë) ta mbështesnin vizionin e tij, solli një ndryshim të ndjeshëm në trajektoren e zhvillimit të vendit, ndërsa Presidenti Klinton jo. Me këtë analogji, Obama la të kuptohet se ai ka një vizion që do e ndryshojë trajektoren e zhvillimit të Amerikës, ndërsa rivalja e tij, senatorja Klinton, është thjesht një politikane me eksperiencë, e cila mund të jetë e aftë të grumbullojë vota, por jo të sjellë ndryshimin që do iniciojë ai.Duke u kthyer në Shqipëri, deklaratat e Edi Ramës se ai është qytetar në radhë të parë e pastaj politikan, ose se ai kërkon një bashkim përtej së majtës e së djathtës, tingëllojnë m’u si eko të Obamës, ose më larg në kohë, të Reganit (Thuhet se Rama ka si konsulent ish-strategun politik të fushatës së parë presidenciale të Reganit, Arthur Finkelstein). Dhe pyetja është nëse e bëjnë Edi Ramën deklaratat e tij më shumë apo më pak shtetar, ose më shumë apo më pak politikan. Pyetjes së parë, fatkeqësisht nuk mund t’i jepet përgjigje sot.  Shumë politikanë, gjatë garës për të kapur majën e pushtetit, i kërkojnë elektoratit të bashkohet rreth vizioneve të tyre për ndryshime të mëdha. Por jo të gjithë i realizojnë ndryshimet e premtuara pasi marrin pushtetin... Prandaj, për të parë nëse Rama është një shtetar i mirë, duhet pritur që ai të qeverisë më parë për ca vjet vendin (në qoftë se do i jepet kjo mundësi). Ndërsa për sa i përket të qenit politikan, kushdo që di diçka rreth mënyrës sesi zhvillohen garat elektorale, nuk e ka të vështirë të hamendësojë se ç’efekt politik mund të kenë deklarimet e Ramës se ai është qytetar në radhë të parë e pastaj politikan, ose se ai kërkon një bashkim përtej së majtës e së djathtës.Garat elektorale të derisotme në Shqipëri kanë treguar se një pjesë e konsiderueshme e zgjedhësve ose shkojnë herë majtas e herë djathtas, ose nuk votojnë fare. Pasi konsolidoi pozitat e tij si udhëheqësi i socialistëve, Rama tani duket se e ka kthyer shënjestrën politike pikërisht nga kjo pjesë gri e elektoratit.  Duke përdorur fjalët kod “përtej së majtës e së djathtës”, kuptohet që ai nuk mund të marrë votat e atyre që në mënyrë të vazhdueshme kanë votuar për koalicionin e udhëhequr nga Berisha - ai thjesht mund të fitojë votat e të lëkundurve. Ndërsa duke përdorur fjalët kod “jam qytetar e pastaj politikan”, ai mund të joshë disa prej atyre që, të lodhur nga politikanët e derisotëm shqiptarë, nuk votojnë fare. Pra, parë nga këndvështrimi i përkufizimit të politikës si një garë për pushtet, Rama, me deklarimet e tij, ka probabilitetin të realizojë atë që çdo politikan synon - grumbullimin e shumicës së votave.Por a do e realizojë vërtet kryesocialisti këtë synim të tij?  Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet pritur viti 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›