Politikanët irakianë kundërshtojnë vizitën e mundshme të liderit të ri sirian në Bagdad

Politikanët irakianë pro-Iranit kanë shprehur ditët e fundit kundërshtimin e një vizite të mundshme të presidentit të përkohshëm sirian Ahmed al-Sharaa në Irak për samitin e ardhshëm të Ligës Arabe.
Kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani tha në fillim të kësaj jave se Bagdadi e ka ftuar Sharaan të marrë pjesë në samitin e Ligës Arabe, i planifikuar të mbahet në kryeqytet më 17 maj.
Nëse Sharaa merr pjesë, kjo do të ishte vizita e tij e parë zyrtare si lider i Sirisë në Irak, ku ai u burgos për vite me akuza se i përkiste al-Kaedas.
Partia shiite Dawa, e udhëhequr nga ish-kryeministri Nuri al-Maliki, thotë se refuzon që Bagdadi të presë dikë që ka kryer “krime” kundër irakianëve.
“Është thelbësore që procesverbali gjyqësor… i kujtdo që merr pjesë në samitin arab në çdo nivel të jetë pa akuza dhe krime”, ka theksuar partia e Malikit, pa përmendur emrin e Sharaa.
Disa burime irakiane të sigurisë i thanë AFP-së se një urdhër-arresti i vjetër për Sharaa mbetet në fuqi që nga koha e tij si anëtar i Al-Kaedës.
Megjithatë, autoritetet mund të zgjedhin të mos e zbatojnë atë, duke i dhënë përparësi marrëdhënieve të qëndrueshme me udhëheqjen e re të Sirisë për të ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
/rtsh.al/