E Enjte, 5 Nëntor 2026

Polonia akuzon Bjellorusinë se po përdor emigrantët për të ushtruar presion mbi ta dhe BE-në

Polonia akuzoi Bjellorusinë të martën se po përgatitet të dërgojë mijëra emigrantë përtej kufirit të saj në një përpjekje për të destabilizuar vendin dhe Bashkimin Evropian.

“Që nga fillimi i gushtit, Polonia ka qenë nën një presion në rritje nga emigrantët, e që është rezultat i veprimeve të regjimit të Alexander Lukashenkos”, theksoi Stanislaw Zaryn, zëdhënësi i kreut të shërbimeve të sigurisë së Polonisë, në një deklaratë të lëshuar nga Radio Polonia.

Zaryn tha se Bjellorusia po përpiqet të krijojë një “rrugë migrimi artificiale” për të destabilizuar kufijtë bjelloruso-lituanez, bjelloruso-letonez dhe tani bjelloruso-polak.

“Strukturat shtetërore të Bjellorusisë janë të përfshira në sjelljen e emigrantëve në territorin e tyre, kryesisht nga Lindja e Mesme. Gjithnjë e më shpesh, ata vijnë në Bjellorusi edhe nga Rusia. Këto aktivitete janë sistematike dhe kryhen në një shkallë të madhe”, deklaroi ai.

Zaryn theksoi se mijëra emigrantë janë sjellë nga presidenti bjellorus Lukashenko në Bjellorusi, duke shtuar se vendi po kërkon shtigje të reja nga të cilat migrantët mund të transportohen në vendet e BE-së.

Ai citoi disa fjalime të Lukashenkos në të cilat ka thënë se do të niste një shtegtim migrimi si hakmarrje për mbështetjen e dhënë nga vendet e BE ndaj shoqërisë civile në Bjellorusi.

“Ajo që ne po shohim tani është zbatimi i planeve armiqësore kundër BE-së dhe në veçanti Lituanisë, Letonisë dhe Polonisë. Operacioni i kryer nga Bjellorusia, me miratimin e Rusisë, synon të destabilizojë vendet e Evropës Qendrore dhe të gjithë BE-në”, nënvizoi ai.

Zaryn paralajmëroi se ata mund të shohin më shumë “provokime të organizuara dhe agresive” kundër Polonisë në periudhën e ardhshme.

Ai tha se kriza e fundit në kufirin lindor të Polonisë mund të zgjasë për muaj të tërë.

Katër persona u gjetën të vdekur të dielën në kufirin Bjellorusi-Poloni, u tha kryeministri polak Mateusz Morawiecki gazetarëve të hënën në Varshavë.

Në gusht, vendet e BE-së në kufirin bjelloruso-lituanez, letonez dhe polak, kërkuan ndihmën e bllokut në mes të një rritjeje dramatike të numrit të emigrantëve të parregullt nga Iraku, Afganistani dhe Siria që kalonin kufijtë e tyre.

Ata akuzuan Lukashenkon se ftonte qëllimisht “turistë” nga vendet që janë burimi kryesor i migrimit në BE për t’u futur në bllok për shkak të sanksioneve kundër qeverisë së tij.

Në qershor, blloku ndaloi fluturimet në zona të caktuara të hapësirës ajrore të BE-së dhe qasjen në aeroportet e BE-së për të gjithë avionët bjellorusë pas devijimit të detyruar të një fluturimi të Ryanair në Minsk dhe ndalimit të gazetarit bjellorus Raman Pratasevich dhe partnerit të tij.

Që nga tetori 2020, BE-ja ka vendosur sanksione kundër 166 individëve dhe 15 subjekteve nga Bjellorusia për shkelje të të drejtave të njeriut./AA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›