E Diel, 1 Nëntor 2026

Polonia heton shkeljen e hapësirës ajrore, Tusk: Krateri i krijuar pranë kufirit nga një raketë ruse

“Një objekt që ra në Poloninë lindore gjatë natës duket se është një raketë ruse” Kështu deklaroi të enjten kryeministri polak Donald Tusk, pasi autoritetet zbuluan një krater me gjerësi 10 metra dhe mbetje të shpërndara në një zonë të pabanuar pranë kufirit me Ukrainën.

Polonia ngriti në ajër avionët luftarakë për të siguruar hapësirën e saj ajrore pasi sulmet ruse goditën Ukrainën me objektiv Kievin dhe Lvivin.

“Nga verifikimi i shumicës së gjurmëve, fragmentet e gjetura tregojnë për një raketë ruse Kh-101”- tha kryeministri Tusk pasi vizitoi vendin e ngjarjes ndersa mbajti një takimi urgjent të ekipit koordinues qeveritar në qytetin lindor të Lublinit.

“Nuk kishte kërcënim të drejtpërdrejtë sepse raketa ra në një zonë të pabanuar.”- siguroi ai. 

“Banorët e Tarnawa Kolonia, pranë Lublinit, raportuan se dëgjuan një shpërthim rreth orës 04:00 të mëngjesit, ndërsa Rusia ndërmori sulme të reja me raketa ndaj Ukrainës fqinje”- tha policia polake.

Autoritetet bënë gjithashtu me dije se prokurorët ushtarakë polakë po hetonin ngjarjen, ndërsa më herët ishte ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiga që deklaroi se gjatë natës, një raketë ruse Kh-101 kaloi në Poloni si pjesë e sulmit masiv kundër vendit të tij, duke shkelur hapësirën ajrore të NATO-s.

Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa tha gjithashtu se hapësira ajrore polake ishte shkelur gjatë sulmit me raketa dhe dronë.

“Rusia goditi Ukrainën me dhjetëra raketa dhe qindra dronë, duke vrarë tetë persona dhe plagosur shumë të tjerë”- njoftoi presidenti Volodymyr Zelenski, duke u bërë thirrje vendeve aleate përfshirë SHBA-në të ndihmojnë vendin e tij me sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot. Rusia pretendoi se goditi objekte ushtarake në të gjithë Ukrainën dhe tre anije mallrash. Ndërsa Moska akuzoi Kievin se sulmoi një magazinë në qytetin Penzi, duke shkaktuar evakuimin e rreth 200 personave.    

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›