E Diel, 1 Nëntor 2026

“Porta e Alpeve”, vizioni për Shkodrën si korridor i ri kulturor dhe turistik

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Pasuria e jashtëzakonshme kulturore e Shkodrës ishte në qendër të takimit që zhvilloi ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, me kryetarin e bashkisë Shkodër, Benet Beci.

Së bashku me stafin teknik të MTKS, u diskutua mbi një vizion të ri kulturor për Shkodrën, ku trashëgimia, turizmi, mobiliteti i qëndrueshëm dhe infrastruktura moderne ndërthuren në një qasje të unifikuar zhvillimi.

Në thelb të vizionit të ri, qëndron “Porta e Alpeve”, një korridor i ri kulturor dhe turistik që synon ta shndërrojë Shkodrën në hyrjen kryesore të alpeve shqiptare. Projekti parashikon lidhjen e transportit të gjelbër me hapësirat publike dhe ofertën kulturore në një strukturë të integruar.

Vizioni kulturor për Shkodrën përfshin ngritjen e një rrjeti muzesh në trajtën e Museum Quarter, një pol i ri muzeor dhe kreativ që vendos kulturën në qendrën e zhvillimit urban, itinerare të gjelbra për këmbësorë dhe biçikleta, që lidhin monumentet, muzetë dhe hapësirat historike me njëra-tjetrën, si dhe rijetëzimi i muzeve dhe banesave historike, duke forcuar identitetin kulturor dhe duke krijuar hapësira të reja për publikun.

MTKS thotë se, kjo qasje e re synon të ruajë dhe t’i japë vlera trashëgimisë së pasur të Shkodrës, duke e shndërruar atë jo vetëm në një destinacion kulturor të nivelit të lartë, por edhe në një qendër të qëndrueshme zhvillimi për gjithë rajonin. /j.p/

1 nga 7

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›