Post Fest 64/ Treni: Vizioni ishte të sillnim elementë shqiptarë. Cifligu: Koncepti ishte të kalohej në një nivel tjetër artistik

Në Post Fest 64, nën moderimin e Fjodora Fjores, regjisori Redi Treni foli për vizionin dhe konceptin e festivalit, duke theksuar se që në nisje të punës kishin një ide të qartë artistike.
Sipas Trenit, qëllimi ishte që artistët të sillnin elementë shqiptarë në këngët e tyre.
“Një këngë që tingëllon shqip” ishte fjalia që ftoi artistët dhe bëri që shumë këngëtarë të sillnin elementë të folklorit shqiptar në këngët e tyre. Një pjesë e madhe e interpretuesve i kishin këto elemente të përfshira në krijimet e tyre”.
Treni shpjegoi se këngët u dëgjuan fillimisht nga një komision, pa u ditur identiteti i autorëve apo interpretuesve, dhe vetëm ato që kaluan këtë fazë u prezantuan më pas në netët e festivalit.
“Këtë vit, numri i këngëtarëve ishte shumë më i madh krahasuar me vitin e kaluar. Kishte edhe emra të njohur që fatkeqësisht nuk u përzgjodhën, pasi mënyra e përzgjedhjes së këngëve ishte e tillë që natën e parë ato u dëgjuan nga një komision, pa u ditur identiteti i autorëve apo interpretuesve, dhe vetëm këngët e përzgjedhura u prezantuan në netët pasuese”,tha ai
Duke qenë se kishte një diversitet të gjerë zhanresh muzikore, Treni tha se u vendos që së bashku me Albin të realizohej një skenografi dinamike, e cila të ndryshonte dhe të mos ishte e njëtrajtshme.
Për skenografinë, skenografi Albi Cifligu u shpreh se “Koncepti ishte të përcillej e ardhmja dhe të kalohej në një nivel tjetër artistik.
Ai theksoi se skena duhej të ishte dinamike, me elementë lëvizës, “duke e kthyer festivalin në një spektakël, edhe pse sfida kryesore ishte hapësira e vogël ku u realizua”
Cifligu shtoi se Festivali i Këngës është një festival i shqiptarëve dhe se sipas tij, publiku shqiptar ka një ndjeshmëri të lartë estetike.
/rtsh.al/