E Shtunë, 31 Tetor 2026

Postera për Berishën, pranga Geraldo Durdës

Geraldo Durda, vëllai i Edison Durdës

TIRANE Geraldo Durda, vëllai i një prej viktimave të Gërdecit, u arrestua pas mesnatës së të hënës në Tiranë, pasi u kap nga patrulla e policisë duke ngjitur postera, në formën e një lajmërimi vdekjeje për Kryeministrin. Bashkë me të u arrestuan nga efektivat e Komisariatit Nr.3 edhe tre aktivistë të forumit Rinia Aktive. Me hidhërim të thellë njoftojmë vdekjen e z.Sali Berisha. Njoftimi nga familja. Autorët e vdekjes: Viktimat e Gërdecit, Minatorët e Bulqizës etj.. Sipas policisë, në këtë formë ishin formuluar posterat që të arrestuarit kishin ngjitur nëpër shtylla e mure, që në rast se do të qëndronin deri në mëngjes të ngjitur, atëherë do të sillnin mashtrimin e qytetarëve. Policia ka sekuestruar posterat, një lap top dhe një makinë që përdorej nga aktivistët e Rinisë Aktive. Vendosja e këtyre njoftimeve në formën e një lajmërimi vdekjeje kundër kryeministrit Sali Berisha i ka kushtuar prangat 17-vjeçarit Geraldo Durda, i cili në tragjedinë e Gërdecit humbi vëllain e tij 7-vjeçar. Adoleshenti u arrestua gjate natës, duke u gdhirë dita e djeshme, teksa me disa persona te tjerë, pjesëtarë të lëvizjes Rinia Aktive, po ngjisnin fletët në shtylla dhe mure, nga pallatet 9-katëshe e deri tek rruga Mine Peza, në kryeqytet. Mes të shoqëruarve në komisariat është dhe kreu i lëvizjes, Dritan Broka, nënkryetari Arlind Kote, si dhe aktivisti Klevis Bejleri. Të rinjtë do të qëndrojnë në qelitë e Komisariatit Nr.3, derisa të dalin para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë, me akuzën e shpifjes dhe fyerjes për shkak të detyrës, si dhe shpërndarje e informacionit që sjell panik. Sipas burimeve nga policia, posterat vdekjendjellës janë përgatitur nga aktivistët e forumit Rinia Aktive dhe më pas janë ngjitur në mure, bashkë me të rinj të tjerë, mes të cilëve edhe familjarë të viktimave të Gerdecit. Policia e Tiranës ka nisur një hetim për ngjarjen, në bashkëpunim me Prokurorinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›