E Shtunë, 31 Tetor 2026

Postpavar

• Anastas AngjeliUdha e gjatë e përpjekjeve shumëdimensionale për realizimin e statusit përfundimtar të Kosovës - Pavarësinë e Saj, është në metrat dhe orët e fundit. Ky fund i mirë, i gëzueshëm dhe i shumëpritur nga gjithë shqiptarët dhe mbarë komuniteti ndërkombëtar, nuk është gjë tjetër, veçse fundi i një fillimi të ri, i një epoke të re për Kosovën, Epoka e Postpavarësisë. E, në këtë Epokë të Re, të Postpavarësisë së Kosovës, para Saj, si Shtet i Ri, para popullit dhe klasës politike të Kosovës, padyshim që dalin prioritete dhe objektiva të reja që kanë në themel të tyre ndërtimin, zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit të ri demokratik të Kosovës, të institucioneve demokratike të tij (duhet pranuar se hapa të rëndësishëm në këtë drejtim janë bërë edhe në situatën aktuale gjatë këtyre nëntë viteve nën drejtimin dhe mbështetjen e plotë të komunitetit ndërkombëtar), zhvillimin dhe integrimin euroatlantik të saj dhe, padyshim, ajo çka mbetet më e rëndësishme, përballjen e Kosovës me tranzicionin ekonomik, jo pak të vështirë të saj, në të gjitha aspektet. Padyshim që këto përbëjnë edhe bazën e Programit të Qeverisë të porsakrijuar e të drejtuar nga zoti Thaçi dhe të mbështetur nga populli i Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar.Situata ekonomike në Kosovë në prag të pavarësisëGjendja ekonomike e Kosovës në këtë prag pavarësie, pavarësisht hapave të hedhur dhe reformave liberalizuese të tregut të kryera  deri tashti, vazhdon të jetë e vështirë.Kosova ka një popullsi prej gati 2.4 milionë banorë, është një nga vendet me moshë mesatare të popullsisë më të re se çdo vend tjetër, rreth 25 vjet, por që ka një papunësi për rreth 45-50  për qind dhe që tregu i punës shtohet me gati rreth 30 mijë punëkërkues të rinj në vit, me një administratë publike në të cilën janë të punësuar rreth 120.000 vetë. Gjithashtu, Kosova me një prodhim të përgjithshëm bruto (GDP, për frymë) rreth 1164 euro/për frymë sipas të dhënave të vitit 2007, me një inflacion  të deklaruar nën kontroll, me një buxhet të konsoliduar për vitin 2008 rreth 1 miliard e 24 milionë euro, megjithëse ka rreth 72.000 biznese të regjistruara që funksionojnë, ajo, ekonomia e Kosovës, ka një industri të amortizuar totalisht e të paralizuar përgjithësisht, një bujqësi të braktisur, me një treg mallrash e produktesh me shumicë e me pakicë të dominuar thuajse tërësisht nga importi (në një masë të konsiderueshme nga tregu i Serbisë), me një treg shërbimesh të ndryshëm, transporti etj., si dhe treg bankar e jo bankar në hapat e parë, me institucione arsimore dhe shëndetësore gjithnjë nevoje, me mungesa dhe kërkesa gjithnjë në rritje për akses në furnizimin me ujë të pijshëm dhe energji elektrike, me probleme të mëdha infrastrukturore etj., elemente  që nuk mund të shmangin ekzistencën e varfërisë, më e theksuar kjo në zonat rurale të saj.Por, megjithëse një ekonomi në gjendje të vështirë dhe e varfër, ekonomia kosovare në këto momente ka disa elemente pozitive dhe avantazhe që mbështesin përballjen me sukses të tranzicionit ekonomik të saj, reformimin, zhvillimin dhe integrimin rajonal dhe evropian të saj.Së pari: Në Kosovë përgjithësisht është zgjidhur çështja e pronësisë dhe ka filluar ristrukturimi dhe ka tashmë një paketë të miratuar, që do të mbështesë zhbllokimin e situatës për përshpejtimin e privatizimit të pronës shtetërore në industri (marrëdhëniet e pronësisë bazohen në pronën private që sanksionohet e mbrohet me ligj).Së dyti: Megjithëse me një ekonomi dhe një sistem financiar e bankar pak të zhvilluar, Kosova ka në qarkullim monedhën e përbashkët evropiane EURO, pra është pjesë e vendeve të eurozonës. Ky përbën një element pozitiv për kontrollin e politikës monetare të qarkullimit monetar, inflacionit, duke ndikuar në stabilitetin makroekonomik të vendit, më se i domosdoshëm për një zhvillim të qëndrueshëm të saj dhe njëhershmi ndihmon në përshpejtimin e integrimit të ekonomisë kosovare në atë rajonale dhe evropiane.Së treti: Kosova ka një ekonomi e tregti të liberalizuar dhe është pjesë e proceseve integruese rajonale të tregtisë së lirë (CEFTA) dhe ka një marrëveshje për të ecur në procesin e stabilizimit e asociimit me BE-në.Së katërti: Kosova ka të ardhura nga jashtë, nga emigracioni, (reminitanca) të konsiderueshme, për rreth 350-400 milionë euro në vit, që për situatën aktuale janë shumë të dobishme.Së pesti: Iniciativa private, shpirti tregtar dhe i biznesit në  popullin e Kosovës janë shumë të zhvilluara dhe të deshifruara për zhvillimin dhe iniciativave e lirive ekonomike (ka 72.000 biznese të regjistruara) duke kombinuar traditën e vet dhe përvojën e vendeve perëndimore, elementë të rëndësishëm në një ekonomi në tranzicion.   Së gjashti: Në Kosovë ka filluar të funksionojë një sistem fiskal adekuat dhe janë ngritur disa institucione të tregut, që janë  drejt harmonizimit të tyre me ato të vendeve të BE-së, por që ka shumë punë në aspekt të zbatimit dhe funksionimit të tyre (të legjislacionit dhe funksionimit të institucioneve).Pragpavarësia, problemet e mundshme ekonomike, përballja me toKjo pra është gjendja ekonomike e Kosovës në këtë pragpavarësie e që në ditët e para të postpavarësisë, padyshim që do t’i duhet e kthejë më shumë fytyrën nga ekonomia, zhvillimi dhe integrimi i saj, lufta për reduktimin e mëtejshëm të varfërisë. Natyrisht, përballja me këtë situatë nuk mund të anashkalohej:- as problemet e gjendjes aktuale të vështirë ekonomike të saj;- as “ëndrrat” e planit serb për “presione”, “embargo”, “bllokada” ekonomike e tregtare, dhe  - as “problemet ekonomike, financiare dhe të borxheve të trashëguara nga ish-Jugosllavia”, siç theksohen edhe në Paketën e Ahtisarit.Sa i përket “të ashtuquajturit plani serb”, padyshim që Kosova dhe komuniteti ndërkombëtar janë përgatitur për çdo lloj përballje ndaj çdo lloj presioni që mund të bëhet në fushën ekonomike, tregtare, energjetike etj. Ndërkaq, edhe Shqipëria, siç është deklaruar, ka një plan mbështetjeje për çdo situatë të mundshme, të harmonizuar me Qeverinë e Kosovës dhe komunitetin  ndërkombëtar (më shumë duhet bërë për përshpejtimin e rrugës Tiranë-Kukës-Prishtine, pavarësisht problemeve ligjore, teknike e administrative që ka, për rritjen e kapaciteteve përpunuese të porteve - sidomos atij të Lezhës, për të rritur aksesin dhe kapacitetet përpunuese të tyre, sektorit energjetik) etj. Megjithëse, personalisht mendoj se ky ‘I ASHTUQUAJTUR PLANI SERB” DO TE MBETET NE LETER, pasi rruga e proceseve në Serbi dhe në Kosovë, tashmë është e qartë dhe interesat tregtare dhe ekonomike në Kosovë askush nuk do t’i humbasë.Postpavarësia - tranzicioni, reformat, zhvillimi ekonomik dhe integrimi(Kosova- me shumë dinamizëm politik dhe ekonomik).Ajo që është shumë e rëndësishme, që në fillimet e Postpavarësisë së Kosovës, është që krahas dinamizmit politik të treguar deri më sot, e që duhet të vazhdojë me më shumë intensitet edhe në të ardhmen, Kosovës i duhet të dëshmojë dhe të zbatoje edhe një dinamizëm të ri ekonomik. Zbatimi i Paketës Ahtisari dhe ndërmarrja e një sërë reformave të tregut, në bashkëpunim me misionin e pritshëm të BE-së dhe me FMN dhe BB, janë garancia për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së Kosovës, reduktimin e varfërisë, zhvillimin dhe integrimin rajonal dhe evropian të saj. Vetëm kështu Kosova do të mund të ketë më shumë zhvillim dhe më pak varfëri, më shumë punësim dhe më pak emigrim, më shumë arsim dhe edukim, se sa prostitucion dhe krim etj.Kjo dëshmohet dhe sanksionohet në nenin 8 të Paketës Atisari (pika 8/1) në të cilën thuhet se, “Kosova do të zbatojë politika ekonomike, sociale dhe fiskale të domosdoshme, për një ekonomi të qëndrueshme”.Gjithashtu, çështjet që trajtohen dhe marrin zgjidhje nga Paketa e Ahtisarit, për pronën shoqërore, për autoritetin e pavarur qendror bankar, për krijimin dhe funksionimin e organeve të pavarura rregullative të tregut, për zhvillimin lokal ekonomik, organizimin dhe funksionimin e financave lokale etj., duhet të jenë pjesë e rëndësishme e Axhendës së Tranzicionit Ekonomik të Kosovës.Natyrisht, në funksion të zbatimit të kësaj Axhende të Tranzicionit Ekonomik të Kosovës (për zbatimin e një programi tërësor reformash ekonomike dhe zbatimin e Paketës së Ahtisarit) do të duhet:Së pari: Në aspektin ligjor, korniza ligjore ekonomike e financiare e miratuar deri tashmë në Kosovë, falë dhe administrimit disavjeçar ndërkombëtar të saj, mund të thuhet se është bashkëkohore, e harmonizuar në përgjithësi me atë të BE-së (natyrisht ka nevojë për rishqyrtim ligjesh dhe hartim ligjesh të reja). Sfida kryesore që kërkohet të përballohet është zbatimi rigoroz i ligjeve në fuqi (zbatimi i ligjit lë për të dëshiruar, sikurse ka ndodhur në vendet me ekonomi në tranzicion, jo vetëm në fillimet e këtij tranzicioni).Së dyti: Në funksion të aspiratës së popullit dhe klasës politike të Kosovës, për integrimin e Kosovës në Bashkimin Ekonomik Evropian, do të nevojitet që të hartohen dhe të zbatohen strategjitë e zhvillimit kombëtar (të Kosovës) dhe strategji rajonale që të jenë të harmonizuara me objektivat e zhvillimit dhe të integrimit rajonal dhe evropian të përcaktuar në dokumentet (traktatet) themelore të tyre, që përcaktojnë drejt kriteret politike dhe ekonomike. Në funksion të këtij qëllimi duhet të hartohen e të zbatohen edhe politikat ekonomike, fiskale e tregtare.Së treti: Zbatimi i reformave standarde të ekonomisë së tregut  në bashkëpunim. Me misionin e BE-së dhe FMN-në e BB-së duhet të jetë sa më pranë realitetit ekonomik të Kosovës me qëllim që të mundësojë më mirë e më shpejt rritjen e qëndrueshme të ekonomisë.Së katërti: Në këtë këndvështrim do të ishte me interes që strategjitë e hartuara të jenë të orientuara drejt për përcaktimin e resurseve ekonomike të Kosovës (resurset pronë –pasuri e shtetit, si pasuritë natyrore minerale etj., nëntokësore, por edhe resurset private ekzistuese dhe perspektive, përmes zhvillimit të agroindustrisë në prodhimet që ka traditë, shërbime etj), si një bazë e rëndësishme dhe garanci për përballimin e zhvillimeve të pritshme të tranzicionit.Së pesti, zbatimi i programeve stabilizuese dhe të ngritjes e konsolidimit të institucioneve (enteve) të ekonomisë së tregut, që garantojnë stabilitetin makroekonomik dhe zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë.Së gjashti: Zhvillimi i mëtejshëm i reformave strukturë të ekonomisë, përmes nxitjes dhe zhvillimit të sektorit privat të ekonomisë (ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme–SME), zhbllokimit dhe vazhdimit të privatizimit të ndërmarrjeve publike dhe  zhvillimit dhe zgjerimit të mëtejshëm të lirive ekonomike. Kjo përmes krijimit të një ambienti dhe klime të shëndoshë biznesi, për zhvillimin dhe tërheqjen e investimeve vendase dhe të huaja, duke eliminuar pengesat administrative dhe duke luftuar ekonominë informale dhe duke lejuar një konkurrencë të ndershme.Së shtati: Pavarësisht nga gjendja aktuale e financave publike të Kosovës kërkohet që të ndiqen politika të tilla ekonomike dhe financiare, që ndikojnë në rritjen dhe shëndoshjen e financave publike (politika tatimore t’i shërbejë zhvillimit ekonomik dhe tërheqjes të sa më shumë të ardhurave në buxhet), duke orientuar drejt përdorimin e fondeve publike dhe të donatorëve në sektorët prioritar të zhvillimit të vendit dhe me ndikim në uljen e varfërisë. Të tillë janë zhvillimi i infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë, rritjes së aksesit në furnizimin me ujë të pijshëm, përmirësimit të situatës energjetike etj.Së teti: Zgjerimin, modernizimin e mëtejshëm të sistemit bankar dhe jobankar dhe përdorimin më me efektivitet të tij (rritjen e kreditimit të ekonomisë) në zhvillimin ekonomik të Kosovës.Së nënti: Realizimin e decentralizimit të pushtetit vendor e në këtë kuadër mundësimin e realizimit të decentralizimit fiskal përmes krijimit të kushteve për krijimin dhe mirëfunksionimin e financave lokale.Së dhjeti: Organizimi dhe funksionimi i shpejtë i një sistemi dhe rrjeti social, të pensioneve, sigurimeve dhe të mbrojtjes sociale për moshën e tretë dhe në nevojë, (kam parasysh këtu mungesën e arkivave që e kanë vështirësuar këtë çështje) përmes hartimit dhe zbatimit të kuadrit ligjor të nevojshëm dhe ngritjen dhe funksionimin efikas të institucioneve të nevojshme për këtë qëllim.Së njëmbëdhjeti: Marrja në konsideratë në gjendjen e financave publike të Kosovës e borxheve që do të trashëgohen nga ish- Jugosllavia (pas negociatave, sipas Paketës Ahtisari).Së dymbëdhjeti: Padyshim që përballimi i reformave të tranzicionit ekonomik në Kosovë dhe zbatimi i një axhende zhvillimi dhe integrimi ekonomik të saj do të jetë i suksesshëm n.q.s do të mbështetej nga kapacitete administrative të afta profesionalisht dhe të kualifikuara, të depolitizuara dhe të qëndrueshme, të cilat do t’i shërbenin me devotshmëri mirëqeverisjes së vendit, (do të kërkohet një reforme në administratën publike), përmes kryerjes së reformave ekonomike të tregut. Më në fund: Nuk ka dyshim që për një periudhë të gjatë kohe, garanci e suksesit të zhvillimit të këtyre reformave do të jetë  bashkëpunimi me komunitetin ndërkombëtar dhe me institucionet ekonomike e financiare ndërkombëtare (misioni i BE-së, FMN-së, BB-së, PNUD-i, komuniteti i donatorëve) etj.* * *Postpavarësia e Kosovës, kjo ëndërr e shumëpritur kërkon fillimin e një dinamizmi të ri jo vetëm politik, por edhe ekonomik, për të përballuar sfidat e tranzicionit, të zhvillimit dhe integrimit ekonomik të Kosovës, të uljes së varfërisë, për sigurimin e një jete më të mirë të popullit të Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›