E Enjte, 5 Nëntor 2026

Pozicioni i SHBA/ Escobar: Asociacioni dhe KiE janë të ndërlidhura, s’e kuptojmë pse Kosova s’e përmbush obligimin

I deleguar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar u shpreh se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe Këshilli i Evropës janë dy procese të lidhura me njëra tjetrën.

Në konferencën e tij të fundit për media si emisar amerikan për Ballkanin Perëndimor, Escobar shtoi se është vështirë të kuptohet pse Kosova nuk i përmbush obligimet e saj ligjore.

“Këshilli i Evropës është për trajtimin e komuniteteve dhe Kosova ka marrë zotime me themelimin e Asociacionit. Ai parashihet në planin e Ahtisarit, Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit”, ka pohuar ai.

Diplomati amerikan ndër të tjera është shprehur i shqetësuar se Kosova mund të mos i ketë votat për Këshillin e Evropës, dhe se mos-procedimi me Asociacionin do të sillte vonesa të tjera.

“Shqetësimi është që kjo vetëm do të shkaktojë shtyerje të madhe”.

SHBA-ja, sipas tij, nuk ka votë në këtë organizatë evropiane, por qëndrimi i Uashingtonit është që Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara.

“Pozicioni i SHBA-së është se Kosova duhet të jetë anëtare e plotë e BE-së, NATO-së dhe Kombeve të Bashkuara, por që të arrihet kjo e rëndësishme është që Kosova t’i dëgjojë partnerët evropianë”./m.j

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›