E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Prag “Eurosong 2023”, delegacioni shqiptar prek nga afër pikat turistike të Liverpulit

Teksa na ndajnë pak ditë nga ngjarja e madhe evropiane e muzikës siç është Eurosong 2023, delegacioni shqiptar me në krye këngëtaren Albina dhe Familja Kelmendi, ka vizituar edhe pikat turistike të Liverpulit së bashku me delegacionin e Lituanisë.

Në kuadër të promovimit të atraksioneve turistike, me qëllim njohjen dhe socializimin e delegacioneve me njëra-tjetrën janë organizuar evente të ndryshme sociale.

Në vizitën e organizuar nga EBU delegacioni shqiptar dhe ai i Lituanisë, janë njohur me koopshtin Zoologjik të Liverpulit, ku edhe kanë shijuar çastet e kaluara së bashku.  

Kjo është një nga vizitat që i paraprijnë netëve magjike ku do të performojnë 37 shtete, mes tyre edhe Shqipëria, e cila këtë vit përfaqësohet me këngën ‘Duje’, kënduar nga Albina dhe Familja Kelmendi.

Duke qenë Festivali më i rëndësishëm i Këngës në Europë, momentalisht është edhe më i komentuari nga mediat prestigjioze botërore.

Së fundmi, korrespondenti i muzikës në BBC, Mark Savage, ka komentuar të gjitha këngët dhe artistët pjesëmarrës në Eurosong 2023, me tyre edhe këngën përfaqësuese të Shqipërisë, për të cilën shprehet:

“Vokali mbresëlënës dhe harmonitë ballkanike ndërtohen në një kor tërheqës, me Albinën e bashkuar në skenë nga pesë anëtarë të familjes së saj, duke përfshirë mamin dhe babin. Ajo zhurmë shkuljeje është zhurma e Albinës që të tërheq telat e zemrës”.

Konkursi i 67-të i këngës në Eurovizion do të mbahet këtë vit në Liverpool të Britanisë së Madhe. Gjysmëfinalja do të jetë në datat 9 dhe 11 Maj, ndërsa nata finale në 13 Maj.

Sipas shortit të zhvilluar disa javë më parë, këngëtarja shqiptare Albina Kelmendi, së bashku me familjen e saj do të performojnë në gjysmëfinalen e dytë të Festivalit Europian të Këngës, më 11 Maj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›