“Prag Eurovision’’, RTSH sjell atmosferën e Eurovision Song Contest 2026 me një program të dedikuar me intervista dhe lidhje live

Vetëm pak orë na ndajnë nga nisja e edicionit të 70-të të Eurovision Song Contest 2026, ndërsa Radio Televizioni Shqiptar vjen me një program të veçantë kushtuar këtij kompeticioni të madh muzikor. Në datat 12 dhe 14 maj, duke nisur nga ora 20:30 deri në 21:00, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë “Prag Eurovision” nën moderimin e Andri Xhahu dhe Antoneta Koçi.
Programi do të sjellë atmosferën e këtij eventi përmes intervistave ekskluzive, lidhjeve të drejtpërdrejta dhe materialeve nga prapaskenat e festivalit, duke e afruar edhe më shumë publikun shqiptar me emocionet e Eurovizionit. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përfaqësimit të Shqipërisë në këtë edicion, me informacione të fundit dhe lidhje direkte nga arena e festivalit, pak çaste para nisjes së netëve të mëdha.
“Është hera e parë që bëhet. Është hera e parë që në prag të Festivalit Europian të Këngës të Eurovizionit të vijë me një hapësirë të dedikuar natën e parë dhe natën e dytë gjysmëfinale në orën 20:30. Menjëherë pas përfundimit të edicionit të lajmeve do të mundemi që për 30 minuta, aq sa mundemi për 30 minuta, të sjellim të gjitha emocionet që ndodhin në Vjenë, në Austri por edhe në Tiranë, ku do të kemi lidhje të drejtpërdrejta nga Vjena për të marrë emocionet, për të marrë ndjesitë, për të marrë përgatitjet, ato dridhjet e duarve të artistit Alis Kallaçi, i cili do të na përfaqësojë me këngën “Nan” dhe më pas do të jemi në studio me analiza të dy formave.
Natën e parë do të jemi kryesisht me historikun, sepse Eurovizioni këtë vit shënon edicionin e tij të 70 dhe është pjesëmarrja jonë e 22 në Eurovizion dhe në natën e dytë teksa këndon Shqipëria, të gjithë fokusin do ta kemi tek kënga jonë edhe mbi të gjitha tek thirrja për ta votuar.
Në këtë rrugëtim së bashku me mua do të jetë edhe kolegia Antoneta Koçi, e cila do të bashkohet me mua në këtë rrugëtim”, deklaroi Andri Xhahu.
Me këtë program Radio Televizioni Shqiptar synon të përcjellë jo vetëm spektaklin muzikor, por edhe emocionet dhe pritshmëritë që shoqërojnë një nga event më të ndjekura muzikore.
/RTSH/