E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prag lufte! Kur grandomania bëhet barrë e diplomacisë

Deklarata e fundit e Kryeministrit të Shqipërisë, shkëlqesisë së tij zotit Sali Berisha, mbi sjelljet e presidentit iranian Ahmadinexhad fuqimisht thëniet e liderit iranian mbi zhdukjen e shtetit hebre nga harta e Lindjes së Mesme, kanë ngjallur shqetësim shumëplanësh në rrethet diplomatike të Iranit, si dhe reagime të favorshme në radhët e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Teherani është i shqetësuar së pari pasi sulmi verbal vjen nga një vend mysliman. Sipas informacioneve të besueshme, është mble-dhur Këshilli i Lartë i Revolucionit, ku i pranishëm ka qenë edhe presidenti Ahmadinexhad. Ky i fundit, më shumë se për informacion, ishte thirrur për t'i tërhequr vëmendjen. "Është e patolerueshme prishja e marrëdhënieve me një vend vëlla", - kanë qenë fjalët me të cilat është pritur hyrja e Ahmadinexhadit në sallë. Përgjigjja e tij thuhet se ka qenë: "Për Allahun që është një dhe Pejgamberi profet i tij, unë nuk e mora vesh se çfarë pati Sala". "Ti jezit laj gojën para se të përmendësh emrin e tij", thuhet se ka qenë reagimi i Ajatollah Khameneit ndaj Ahmadinexhadit. Edhe media iraniane e ka pasqyruar ngjarjen, ku titujt kryesorë kanë qenë të tipit "Kur të pjell belaja". Por tashmë ngjan se situata ka hyrë në vorbullën e krizës, ku mbizotëron më shumë gjuha e forcës se logjika e diplomacisë. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e pritën me entuziazëm këtë zhvillim. Kjo është e kuptueshme, pasi nëse deri para hyrjes në lojë të Shqipërisë, fati i luftës do ishte në diskutim, tashmë me futjen e këtij aleati në koalicion, zhvendosen dukshëm shanset e fitores në favor të perëndimit.
Reagimi i Shqipërisë ka qenë në disa drejtime. Në planin diplomatik, Presidenti Nishani, Kryeministri Berisha dhe ish-ministri i Jashtëm Haxhinasto (meqë ky i riu nuk ia ka marrë dorën), kanë nisur një fushatë sqarimi për aleatët myslimanë, për t'iu shpjeguar shkaqet e kësaj iniciative, dhe pse vendi ynë, flamurtar i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut është duke ndërmarrë këtë hap. Është e vështirë të sqarohet se përse duhet sulmuar një shteti mysliman, dukshëm më i zhvilluar, tolerant dhe i hapur, krahasuar me shtetet feudale të Gadishullit Arabik apo të Azisë së Vogël. Por duke besuar në kapacitetet diplomatike të trojkës shqiptare, gjithçka do sqarohet duke ndihmuar kështu edhe diplomacinë amerikane dhe atë izraelite, e cila së fundmi është e kënaqur nga rreshtimi në krah të tyre i kryeministrit shqiptar, ish-vullnetar marksist - leninist kundër pushtimit të Pragës nga sovjetikët, dhe tani në pleqëri rigjetës i zjarrit demokratik.
Në planin ushtarak ingranazhet e makinës shqiptare të luftës kanë filluar të lëvizin. Operacioni kompleks titullohet "Shaban Qosja". Ministri Arben Imami, njëkohësisht gjeneral në pension i çetave territoriale të luftës së '97-ës, ka thirrur ish-truprojën e tij, tani shef i inteligjencës ushtarake. I ka thënë që t'i thotë Shefit të Shtabit që t'iu japë urdhër trupave speciale të Zall-Herrit, kuptohet pasi t'iu marrë një dorë lekësh nga pagesa që do marrin për mision jashtë shtetit, që të fillonin veprimin në prapavijat iraniane, duke iu prirë trupave speciale të SAS-it britanik, Delta Forcës amerikane, dhe komandove izraelite. Suksesi është i padiskutuar, pasi janë të mirëstërvitura dhe mirëinstruktuara nga Ylli Zyla, sidomos në përgjimin e socialistëve shqiptarë. Po këtë ditë, ka dalë urdhri luftarak dhe janë shkëputur nga baza e Bishtit të Pallës, dhe ndodhen tashmë në lundrim drejt Ngushticës së Hormuzit me detyrë patrullimin dhe në rast nevoje bllokimin e ngushticës, aeroplanmbajtësja "Haxhi Qamil". Shoqërohet nga fregatat "Esat Pasha", "Xhaferr Deva" dhe anija raketahedhëse "Ibrahim Biçaku". Në grupin e lundrimit bëjnë pjesë anijet desantuese "Korani Myzeqesë" dhe "Karafili Mëngjesit". Këto të fundit mbartin regjimentin tankist "Kalaja e Dodës" dhe atë të këmbësorisë moçalore "Tigrat e Bunavisë" që sapo kaluan sprovën e fundit të zgjebes. Admirali i Flotës Detare, gjenerali i këmbësorisë, Qemal Shkurti, që gjendet personalisht në krye të grupit detar, kuriozitetit të gazetarëve për mungesën e avionëve në aeroplanmbajtëse, iu përgjigj se Flota Detare shqiptare, ka evokuar traditën e lashtësisë ku anijet ishin vetëm sheshe luftimi në det, dhe rishtas do ta bënin në shekullin e 21-të, duke tërhequr këmbësorinë iraniane në luftë me hunj në platformën e fluturimit të aeroplanmbajtëses bërthamore shqiptare. Sa i takon aviacionit, ai do ngrihej në fluturim nga aeroportet e Lazaratit, Godoleshit dhe Kanalit të Çukës, me detyrë bombardimin e fushave naftëmbajtëse, për të bllokuar aftësitë ekonomike të vendit islamik.
Me gjithë këtë fuqi zjarri të vënë në dispozicion nga pala shqiptare, duket se fati i konfliktit është i shënjuar në favor të rreshtimit shqiptar. Shtatmadhoria iraniane, tashmë nuk ka asnjë shpresë rezistence. Gjithë përpjekjet e diplomacisë iraniane që Shqipëria të mos rreshtohej me koalicionin perëndimor, ose të paktën të ishte asnjanëse, shkuan dëm. Kjo ishte edhe shpresa me e madhe e Iranit që të mos e përfundonte me turp luftën e tij. Për fat të demokracisë mbarëbotërore, kjo nuk u realizua. Edhe një herë politika e jashtme e vendit të shqipeve, tregoi se ka yll rrëfyes fjalët e kryeministrit të saj, se: "Shteti shqiptar nuk do bëjë kurrë kompromis me vrasësit e popujve, uzurpatorët e pushtetit, diktatorët apo autokratët të kujtdo ngjyre qofshin; gjithmonë të drejtat e njeriut nëpër botë, dhe të tijat në Shqipëri, do jenë ylli polar i politikës së jashtme". Dhe s'ka si të ndodhë ndryshe kur qeveria e tij është e përbërë nga personalitete, kampionë të dinjitetit, integritetit dhe ndershmërisë. Ndërkohë, populli shqiptar, është i rreshtuar përgjegjshmërisht në krah të vlerave perëndimore, dhe si gjithmonë papërgjegjshmërisht është në luftë me dikë që shpesh i ngatërron edhe emrin.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›