E Diel, 1 Nëntor 2026

Praktikat profesionale, Spitali i Gjirokastrës mirëpret studentët e infermierisë

Dea Mene është studente në vitin e tretë në Universitetin e Gjirokastrës, ku studion për mami, dhe sot e gjejmë në maternitetin “Dhimitër Cuci”, ku kryen praktikën profesionale.

Dea e dashuron profesionin e saj dhe i përkushtohet orëve të praktikës për të marrë eksperiencë përkrah bluzave të bardha që punojnë pranë këtij shërbimi.

Mundësitë që i jep marrja e një diplome në këtë fushë, 20-vjeçarja dëshiron t’i shfrytëzojë duke e shtrirë profesionin e saj edhe në fushën e estetikës.

Infermierinë Dea e sheh si një degë që nuk të lë pa punë pas përfundimit të studimeve, ndaj apelon që të rinjtë ta përzgjedhin, pavarësisht se ka procedura të gjata deri në marrjen e licencës profesionale.

“Në fund të gjithë asaj sakrifice shpërblehesh”, tha Dea.

Mes programeve që ofron Universiteti i Gjirokastrës, ato të infermierisë mbeten më të kërkuarat nga të rinjtë.

Vitet e fundit, numri i të regjistruarve çdo vit akademik varion nga 70 deri në 100 në të dyja degët: infermieri e përgjithshme dhe mami. Kryerja e praktikës profesionale në Spitalin e Gjirokastrës realizohet falë një marrëveshjeje të nënshkruar mes Universitetit “Eqrem Çabej” dhe këtij institucioni shëndetësor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›