E Martë, 3 Nëntor 2026

“Prandaj s’të mbante banka!” Irini Qirjako përlotet në studion e “Quo Vadis”, tregon kush ia spikati i pari talentin

Këngëtarja shumë e dashur për publikun Irini Qirjako ka treguar si e ka nisur karrierën e saj shumë të suksesshme.

E ftuar në emisionin “Quo Vadis” me moderatoren Pranvera Borakaj në Vizion Plus, ajo ka treguar se ishte mësuesi i fillores ai që spikati i pari talentin e saj.

Pjesë nga biseda:

Pranvera Borakaj: Ju zbuloi një mësues, në fillore. Dhe ju donit me insistim, patjetër…

Irini Qirjako: Po të gjitha këto nga i keni marrë vesh?!

Pranvera Borakaj: Donit patjetër që të këndonit?

Irini Qirjako: Po, po nuk më çonte mua. Ne ishim katër klasa në një dhomë. Ishte klasa e parë, klasa e dytë, klasa e tretë dhe klasa e katër. S’kishte shumë në atë kohë shkolla të mëdha. Unë isha në klasën e parë fillore. Ishte ora e muzikës, e bënim të gjithë bashkë. Filluan të këndonin dhe unë çova dorën se doja të çohesha dhe mua mësuesi nuk më çonte dhe unë thoja “mësues me leje të çohem unë” . “Po hajde moj, tha, se na çmende moj Irini”. Dhe unë dola atje përpara klasës dhe këndova këngën “Një ditë nëntori”. Dhe klasa s’pipëtinte. Dhe tha mësuesi “po prandaj ty s’të mbante vendi. Ua të keqen mësuesi, po ti je talent moj tha”. Dhe që atëherë, kur mbarova klasën e katërt fillore shkova në Finiq se e kishim afër, gjysmë ore ishte 8-vjeçarja dhe aty ishte mësuesja e muzikës që i binte mandolinës dhe e pa talentin tim ajo. Isha bashkë me një shoqen time të klasës, Eleni Gogonin, unë këndoja zënë e parë ajo bënte zërin e dytë. (Fillon këndon). Ajo na çoi pastaj në Sarandë, në festivalin e pionerëve dhe kështu nisi karriera ime.

Pranvera Borakaj: Edhe pse nuk e keni takuar asnjëherë mësuesin e fillores i cili ju spikati, ai është shprehur më vonë në një intervistë plot emocione për ju.

Irini Qirjako: Ua, është shprehur profesori!

Pranvera Borakaj: Po patjetër. Me sa di ka pasur një intervistë që është përlotur për suksesin e jashtëzakonshëm që ke pasur.

Irini Qirjako: Po, më tha, këtë behar takova të birin e tij në Finiq dhe tha dëgjo “babait i thanë për intervistën dhe ja tregova unë babait në Youtube dhe babai ka qarë” dhe unë u preka shumë dhe tani më mbushen sytë me lot për mësuesin tim të shtrenjtë Petro Kurtin. /vizionplus.tv

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›