Pranga drejtorit për 100 mijë dollarë

Gjatë operacionit të koduar “Bojaxhiu”, u arrestuan, Virgjil Joti, me detyrë kryeinspektor, si edhe Luan Qato e Kastriot Llakaj, me detyrën e inspektorit.
Në momentin e arrestimit tre të pandehurit ishin duke i marrë shumën prej 20 mijë dollarësh një biznesmeni karburantesh në Tiranë, për t’i dhënë lejen e kontrollit teknik të zhdoganimit të karburantit.
“Këta shtetas janë arrestuar në flagrancë, pasi i kanë marrë një grosisti karburantesh shumën prej 20 mijë dollarësh, në këmbim të dhënies së lejes së kryerjes së kontrollit teknik e zhdoganimit të një anijeje me karburant. Shtetasit e sipërpërmendur për një periudhë prej 8 muajsh në vazhdimësi i kanë kërkuar këtij biznesmeni shumën 10 mijë dollarë për çdo anije të zhdoganuar, duke përfituar në mënyrë të paligjshme në total shumën prej 100 mijë dollarë”, është shprehur zëdhënësi i policisë.
Policia kreu arrestimin pasi ka përdorur përgjimet, ku ka prova të mjaftueshme që tre të arrestuarit nuk e zhdoganonin anijen me karburant pa marrë një ryshfet prej 10 mijë dollarësh.