E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangat e pamerituara

Av. Harbi Aliaj

Në vendin tonë ka shumë gjëra të pamerituara. Diplomat e universiteteve, rezultatet e fitores së kandidatëve në zgjedhje, pagimi i faturave të energjisë elektrike me shuma marramendëse etj. Kësaj liste padyshim çdo njëri nga ne do të mund ti shtonte diçka të pamerituar të cilën jeta ia ka dhuruar me apo pa dëshirën e tij. Mes shumë ndodhive, ka edhe njerëz që kanë marrë kosto të pamerituara për shkakun tonë. Me apo pa dashje, të sensibilizuar apo të heshtur, shoqëria rrugën e saj të emancipimit po e paguan me një faturë shumë të lartë morale. Atë të mohimit të identitetit të saj. Fatmirësisht këtë sfidë e kemi paguar me gjakun e dëshmorëve dhe jetën e atyre që u sakrifikuan për liri dhe për demokraci. Por sërish sikur të mos mjaftonte, këtij emancipimi iu desh të përballej me mohimin e atyre intelektualëve që vendit i kanë dhënë vetëm dashuri pa kursim. I tillë është Idajet Beqiri, avokati i spikatur dhe specialisti detajist i ligjit, të cilin sa herë që tentojnë ta shembin aq herë ngrihet më lart.

Ka shumë raste kur në shqiptarët veprojmë si qeliza kancerogjene ndaj vet organizmit tonë, por ngjarja e ndalimit të kolegut tim Beqiri është ajo për të cilën shumë kush nga ne ndjen jo vetëm neveri, por edhe turp. Personalisht përshkohem nga ndjenja pacifiste të cilat i manifestoj kudo që mundem, por smund të qëndroj indiferent ndaj kësaj ngjarje që të trondit profesionalisht dhe jo vetëm. Sa shumë paskan ndryshuar gjërat në atdheun tim, atë të të parëve tanë, atë për të cilin Skënderbeu dhe patriotët e tjerë ndër vite nuk bënë kompromise me interesat e askujt nga njerëzit e thjeshtë të këtyre trojeve. Në Kosovë dhe në Shqipëri, statusi i të qenurit shtetas nuk ka domethënie, pasi ky status qytetarie mund të të mohohet pa më të voglën pengesë dhe askush nuk të kërkon ndjesë.
Në atdheun tonë të përbashkët vullneti i ligjeve dhe i zakoneve të mira nuk është asgjë përballë bindjes së verbër të atyre që lirinë personale ta imponojnë me gjak dhe ta shesin me varre. Po për Zotin Beqiri çfarë do të kërkojnë? Nuk habitem për asgjë Ne shqiptarët në të gjithë shtrirjen gjeografike etnike harrojmë të japim dhe vetëm kërkojmë. Idajet Beqiri na ka sfiduar. Ai ka dhënë pa pushim për Kosovën, Shqipërinë, Çamërinë dhe çdo pëllëmbë tokë të të parëve dhe për këtë nuk kërkon asgjë. Ai vetëm na kujton që të mos jemi të verbër që pafajësinë e tij askush të mos e shikojë me lentet e çfokusuara të antishqiptarëve. Ka shumë njerëz për të cilët nuk duhet të presim që të shuhem për tju thënë faleminderit. Një i tillë është Idajet Beqiri, prangat e pamerituara të së cilit, na çlirojnë mendimet për të dashur më shumë njëri-tjetrino shqiptar, o vëlla kosovar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›