Prapaskena politike në Gjermani / Bisedimet për qeverinë e re në Berlin, zhbllokohen negociatat mes të majtëve, SPD-së dhe të Gjelbërve

Dy javë e gjysmë pas zgjedhjeve shtetërore në kryeqytetin gjerman, tri forcat kryesore të së majtës — Partia e Majtë (Die Linke), Të Gjelbrit dhe Social-Demokratët (SPD) — kanë rënë dakord të nisin zyrtarisht bisedimet paraprake për formimin e koalicionit të ri qeverisës në Berlin.
Marrëveshja u arrit vetëm pasi palët kapërcyen përplasjet e ashpra mbi çështjet e antisemitizmit dhe krimit të organizuar, që kërcënonin ta çonin negociatën drejt dështimit përpara se të niste.
Mbrojtja e komunitetit hebraik dhe vija e kuqe ndaj krimit
Për të hapur rrugën e bisedimeve, SPD-ja dhe Të Gjelbrit i vendosën kushte të rrepta Partisë së Majtë lidhur me qëndrimet e saj ndaj Izraelit dhe luftës kundër antisemitizmit e racizmit.
Në kuadër të marrëveshjes përfundimtare, tri partitë u zotuan se e drejta e Izraelit për të ekzistuar është e panegociueshme dhe se jeta e komunitetit hebraik në Berlin do të mbrohet me çdo kusht; do të forcohet policia dhe shërbimet e inteligjencës vendase për të siguruar mbrojtjen e institucioneve dhe komuniteteve hebraike; sanksione të rrepta për anëtarët ose grupet parlamentare që shkelin këto parime rrezikojnë përjashtimin e menjëhershëm nga forcat përkatëse politike; do të mbahet distancë absolute nga individë dhe grupe të lidhura me krimin e organizuar.
Përplasjet nisën pas polemikave që përfshinë degën e së Majtës në lagjen Neukölln gjatë natës së zgjedhjeve. Në tubimin e tyre morën pjesë figura të lidhura me klane kriminale dhe një aktivist kontrovers pro-palestinez, i dyshuar për lidhje me Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP) — grup i klasifikuar si organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian.
Eralp drejt historisë si kryebashkiake?
Në zgjedhjet e zhvilluara më 20 shtator, Partia e Majtë doli forca e parë në Berlin duke marrë 25.7% të votave.
Nëse negociatat për koalicionin me SPD-në dhe Të Gjelbrit përmbyllen me sukses, bashkëkryetarja e grupit parlamentar të së Majtës, Elif Eralp, mund të marrë drejtimin e bashkisë, duke u bërë e para kryebashkiake e Berlinit nga radhët e kësaj partie.
/rtsh.al/