Prefektura Shkodër: Zjarri në Landfillin e Bushatit nën kontroll. Reagon PD

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Prefektura e Qarkut Shkodër deklaroi mbrëmjen e sotme se zjarri në Landfillin e Bushatit vijon të jetë aktiv, i favorizuar nga kushtet e erës, ndërsa situata po menaxhohet dhe mbahet nën kontroll operacional nga strukturat në terren.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se në operacion janë angazhuar rreth 20 efektivë të MZSH-së së bashkisë përkatëse me 3 automjete zjarrfikëse, në bashkëpunim me punonjësit e landfillit dhe Policinë Bashkiake.
Në mbështetje janë angazhuar gjithashtu njësitë nga bashkitë Shkodër, Lezhë, Tiranë dhe Kamëz, me mjete dhe efektivë shtesë, duke garantuar një reagim të koordinuar ndërinstitucional.
Prefektura sqaron se po punohet paralelisht me mjete të rënda (ekskavatorë dhe kamionë) për izolimin e vatrave të zjarrit dhe kufizimin e përhapjes së tij, ndërsa furnizimi me ujë vijon në mënyrë të pandërprerë përmes autobotit të angazhuar në terren.
“Zjarri ka përfshirë mbetje urbane dhe, në këtë moment, nuk paraqet rrezik për banesat përreth. Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në përmbushje të rolit të tij koordinues, është në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha strukturat e mbrojtjes civile, për të garantuar menaxhimin efektiv të emergjencës deri në neutralizimin e plotë të saj”, theksohet në njoftimin për shtyp.
Lidhur me këtë situatë kanë reaguar nënkryetari i PD dhe drejtuesi politik i qarkut Shkodër, Luçiano Boçi duke e cilësuat si një katastrofë të paralajmëruar dhe pasojë të keqmenaxhimit të mbetjeve.
“Bushati s’ka më kapacitet pas viteve përdorim. Por Rama i shtoi atij trefish ngarkesë me vendimin absurd për të depozituar aty mbetjet, përveç Shkodrës dhe Lezhës dhe të Elbasanit e Fierit”, u shpreh ai në një postim në rrjetet sociale duke shtuar se “zjarrêvënia është e qëllimshme sepse duhet të hapet hapësirë që të vijnë plehra më shumë pas ezaurimit të kapaciteteve dhe fitimi korruptiv të mos ndalet”.