Prej 30 vitesh në Itali/ “Gafa” e Salvinit për Ermal Metën: “Kush integrohet është i mirëpritur”. Këngëtari: Heshtja për Gazën është blasfemi

Ermal Meta në qendër të një serie komplimentesh, por kush e di nëse të gjitha i pëlqejnë, shkruan sot La Repubblica. Matteo Salvini ka reaguar pas një dialogu ironik në konferencën për shtyp të këngëtarit shqiptar. “Komplimentet e mia Ermal Metës dhe përdorimit të tij perfekt të gjuhës italiane. Në Itali jetojnë dhe punojnë miliona gra dhe burra të lindur në një vend të huaj dhe të integruar plotësisht në shoqërinë tonë, për mua ata janë të çmuar dhe të mirëpritur. Unë gjithmonë kam kundërshtuar të paligjshmit dhe kriminelët, dhe jam i sigurt që edhe Ermal Meta ndan këtë mendim timin. Një përqafim për popullin krenar shqiptar, përshëndetje Sanremos, gjuhës dhe muzikës italiane!”, deklaroi Salvini.
Por kjo deklaratë e Salvinit është parë si një gafë nga media italiane, e cila kujton muzikanti shqiptar është në Itali prej tridhjetë vitesh, që kur ka ardhur në Bari me nënën dhe motrën e tij, në moshën trembëdhjetë vjeçare. Për këtë ndjenjë të ndarjes mes dy identiteteve ka folur shpesh: “Kur ndryshon vend, toka e re ndryshon ushqimin. Fillimisht duhej të përshtatesha, dhe ndihej sikur isha i huaj këtu dhe atje – tha ai për La Repubblica – Je në një gjendje që i ngjan një braktisjeje të vazhdueshme. Për të folur një gjuhë tjetër ndryshimi është i shpejtë, por për shpirtin nuk është kështu”.
Gjithçka nisi pas daljet para shtypit të këngëtarit që ka sjellë këtë vit në Festivalin e Sanremos këngën “Stella stellina”, kur, në pyetjen nëse vlerësonte një varfërim të gjuhës në tekstet e këngëve, ai u përgjigj: “Nuk di të them se çfarë do të jetë në të ardhmen, por sigurisht ka një varfërim të gjuhës. Nëse “Academia della Crusca” ka thënë se teksti më i mirë është ai i shkruar nga një emigrant, bëni vetë pyetje. Unë jam i huaj…”.
Nga salla e shtypit erdhi shakaja: “Mos ia thoni Salvinit”, dhe artisti iu përgjigj me ironi: “Le ta mos ia themi, se mund t’i ndodhë një emboli”. Eventualisht, megjithatë, Salvini ka veshë edhe në Sanremo dhe lëshoi komunikatën e tij për shtyp.
Në konferencë, megjithatë, Ermal Meta kishte në zemër një mesazh tjetër, që është edhe ai i këngës së tij: “Sot të rriturit bëjnë shumë më shumë zhurmë se fëmijët – tha ai në konferencë për shtyp – dhe kjo është gjëja që më shqetëson. Kjo është një ‘heshtje’ që shpesh ia bëjmë vetes. Nuk mund të përdoren disa fjalë, nuk mund të thuash Gaza, nuk mund të thuash Palestina, si të ishte një blasfemi. Por blasfemia e vërtetë është diçka tjetër, është fakti që ato fshihen, kjo është blasfemia!”
Më shumë kënaqësi do t’i ketë ardhur nga mbështetja e Adriano Celentanos, i cili në rrjetet sociale publikoi mesazhin e tij: “Bravo Ermal, kënga jote është e bukur. Dhe ti e ke kënduar kaq mirë sa që është pothuajse e pamundur që të mos fitosh.” Zemrat dhe një fytyrë e prekur ishin reagimi i artistit.
Edhe artisti i rrugës, Laika ka bërë një homazh për këngën e artistit shqiptar me një poster të titulluar ‘Si fluturat’, vendosur në qendër të qytetit të luleve (dhe të muzikës italiane). Vepra tregon një vajzë me një kukull në dorë, ndërsa nga shpina i dalin krahë fluture.