E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prekazi mbushet me vizitorë në 28 Nëntor, nderohet komandanti Adem Jashari

PRISHTINË, 28 nëntor /ATSH/ Në përvjetorin e ditëlindjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe daljes për herë të parë të UÇK-së, qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare kanë vizituar sot kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në këtë ditë, qytetarë të shumtë nga Shqipëria ishin aty për të nderuar komandantin Adem Jashari.

Qytetari nga Tirana, Elidon Gramçi tha për KosovaPress se ky është viti i pestë radhazi që viziton Prekazin për të nderuar familjen Jashari që dhanë jetën për atdhe.

Ai u shpreh se Kosova e Shqipëria është një komb.

“Është viti i pestë radhazi që vij, i nderojmë dëshmorët e atdheut, jemi një. Për me nderuar familjen Jashari sepse kanë dhënë jetën e tyre. Një festë është, është dhe ajo e Vlorës, por është dhe kjo këtu”, tha ai.

Një qytetar tjetër nga Elbasani, Fitim Beqiri shpreson që një ditë Shqipëria e Kosova të bëhen një komb.

Me emocione të shumta, Beqiri i cili vizitoi për herë të parë Prekazin, u ndie krenar për familjen Jashari.

“Ndjej një krenari të madhe, jam për herë të parë këtu për fisin e Jasharëve, kam emocione, kanë kontribu për çlirimin e Kosovës. Ishalla arrijmë një ditë që të bashkohemi, të bëhemi një komb, trojet etnike shqiptare”, tha Beqiri.

Veterani nga brigada 111 “Tigrat e Zi” Bekim Shyti shtoi se kjo festë e veçantë bashkon shqiptarët nga Leposaviqi e deri në Vlorë.

Ai tha se këtë datë të rëndësishme duhet të përcillen te gjeneratat e reja, që të jenë të vetëdijshëm për luftën e UÇK-së.

“Festa e 28 Nëntorit datë e veçantë e cila na bashkon të gjithë shqiptarëve nga Leposaviqi deri në Vlorë, datë që duhet ta përfjellin të gjithë gjeneratat. Dalja e UÇK-së, ditëlindja e Adem Jasharit, këto data duhet patjetër t’i përcjellim te gjeneratat e ardhshme që janë data historike”, shtoi Shyti.

Ndërsa, Ragim Emrushi nga komuna e Shtimës tha se kjo është dita më e gëzueshme e kombit shqiptar.

“Sot është 28 Nëntori dita më e gëzueshme e jona, betimin ushtarët e kanë dhënë këtë ditë. Këtyre këtu ju qoftë lavdi të gjithëve”, tha ai.

Në këtë datë të rëndësishme shqiptarët festojnë tri ngjarje kryesore: daljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për herë të parë, ditëlindjen e heroit, komandantit legjendar Adem Jashari dhe 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›