Presidenca daneze: Të shqetësuar nga vendimi për Metën

Nicolai Wammen
Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian e ka marrë Danimarka dhe në prezantimin që ka bërë para Parlamentit Evropian, ministri i saj për Çështjet Evropiane ka ngritur disa shqetësime për vendet e Ballkanit, përfshirë dhe Shqipërinë. Sistemi i drejtësisë dhe sidomos gjyqësori është cilësuar si problematik, dhe ministri Nicolai Wammen iu referua vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë për Ilir Metën duke e cilësuar shqetësues. Ai raportoi para deputetëve të PE-së dhe gjatë pyetjeve që ata i bënë, u përgjigj dhe për Shqipërinë. Eurodeputeti Eduard Kukan, një njohës i problematikës shqiptare u interesua veçanërisht për prioritetet e presidencës për vendin tonë dhe ministri danez tha ndër të tjera se për sa i përket Shqipërisë, ne kemi mirëpritur marrëveshjen e kohëve të fundit midis qeverisë dhe opozitës si dhe ngritjen e një komisioni të përbashkët në parlament për realizimin e reformës zgjedhore. Por mbetet për t’u bërë shumë më tepër për shtetin e së drejtës dhe këtu jam duke iu referuar edhe vendimit gjyqësor për çështjen Meta. Ky rast na ka befasuar shumë. Kjo tregon se është thelbësore për vendin që të bëhet progres në fushën e drejtësisë dhe të demokracisë, raporton Albanian Screen. Ministri danez Nicolai Wammen tha gjithashtu se për vendin e tij do të jetë prioritet dhe çuarja përpara e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit.