Presidenca reagon pas vendimit të Kushtetueses për certifikimin e zgjedhjeve të 30 qershorit: Vendim zhgënjyes!

Presidenca ka reaguar zyrtarisht pas vendimit të gjykatës Kushtetuese për të certifikuar zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, pavarësisht bojkotit të opozitës. Presidenca tha se Kushtetuesja i zhgënjeu shqiptarët, për interesa të errëta.
“Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 ishin moniste. Gjykata Kushtetuese mund t’i kthente popullit shqiptar mundësinë për të zgjedhur përfaqësuesit e tij në nivel vendor. Por përkundër kësaj pritshmërie të lartë, kjo gjykatë për fat të keq i zhgënjeu të gjithë. Kushtetuesja për interesa që nuk përkojnë më popullin shqiptar, e shpalli veten jokompetente. Për fat të keq, Kushtetuesja e la çështjen pa zgjidhje. Ajo nuk u dha zgjidhjeve pyetjeve të ngritura.”, thuhet në reagim.
Pas zbardhjes së vendimit Presidenti Ilir Meta duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve të reja për 6 bashki, të cilat kanë mbetur pa kryetarë dhe konkretisht në Shkodër, Durrës, Lushnje, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë.