Presidencialet në SHBA/ Në pritje të rezultatit, Frrok Çupi: Amerikanët në ankth, Evropa në makth

Analisti Frrok Çupi thotë se votuesit amerikanë janë në ankth të jashtëzakonshëm, në pritje të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Në maratonën zgjedhore në ABC News, Çupi u shpreh se edhe liderët politikë evropianë, janë në makth, se cili prej kandidatëve, Kamala Harris, apo Donald Trump, do të shpallet fitues.
“Ekonomia do ta rëndojë pozitën e demokratëve. Sigurisht që krahas ekonomisë, amerikanët po çmojnë shumë demokracinë. Kjo, sigurisht që është kundër Trump dhe në favor të demokratëve. Por do jenë votuesit amerikanë të fokusuar në premtimet e Trump, ky është problem që do të perceptohet tani. Votuesit amerikanë janë në një ankth të jashtëzakonshëm. Në gjithë botën është ky ankth. Sidomos liderët e Evropës, në Evropë është makth i madh. Është çështje shumë e rëndësishme, ndahen gjëra të mëdha në botë”, theksoi ai./abcnews.al