E Martë, 3 Nëntor 2026

Presidenti Begaj në Kalabri me sipërmarrësit arbëreshë: Investoni në Shqipëri

Në vijim të vizitës së tij zyrtare, Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një takim me një numër sipërmarrësish arbëreshë dhe jo-arbëreshë të rajonit të Kalabrisë.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit vuri theksin tek mundësitë që ofron kuadri fiskal shqiptar si dhe tek nevoja për hapjen e zyrave operacionale në ndihmë të sipërmarrjeve të huaj.

“Së bashku mund të eksplorojmë mundësi të reja bashkëpunimi me interes të ndërsjellë për kompanitë kalabreze dhe ato shqiptare”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Takimi u organizua nga Instituti Rajonal i Komunave Arbëreshe të Kalabrisë i drejtuar nga sipërmarrësi, Ernesto Madei.

“Është hera e parë që një president shqiptar takohet me sipërmarrës të Kalabrisë dhe diskutojmë për temat e biznesit. Ne kemi nevojë të njohim legjislacionin shqiptar e të bëjmë një krahasim me atë Italian“, tha Madei.

Sipërmarrësit dhe shoqatat e pranishme në këtë takim punojnë dhe kontribojnë në industri të ndryshëm si bujqësia, energjia, punimi i drurit, ndërtimit etj.

Të pranishmit theksuan nevojën e bashkëpunimit mes dy vendeve si dhe tek hapësirat e shumta që ekzistojnë për thellimin e marrëdhënieve tregtare si dhe konstatuan se nisja e fluturimeve mes aeroportit te Lamezia dhe Rinasit do t’i japë një shtysë të re shkëmbimeve mes dy hapësirave ekonomike.

Gazetare: Omer Saraçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›