E Hënë, 2 Nëntor 2026

Presidenti Begaj takohet me ambasadorin e BE-së në Tiranë: Shqipëria ka hyrë në një fazë avancimi të pandalshëm drejt anëtarësimit

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka ndarë një foto nga takimi i tij me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.

Kreu i Shtetit bën të ditur se gjatë kësaj vizite në Presidencë, Gonzato i dorëzoi progres-raportin e BE-së për Shqipërinë.

Sipas Presidentit Begaj Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të avancimit të pandalshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

“Ditë e mirë për Shqipërinë!

Kënaqësi të prisja sot Ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili më dorëzoi zyrtarisht progres-raportin për Shqipërinë.

Përfundimisht, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të avancimit të pandalshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Progres-raporti na nxit të punojmë fort të gjithë së bashku për të arritur objektivin tonë.”, shkruan ai.

Presidenti i Republikës i përcolli Ambasadorit Gonzato mirënjohjen ndaj Brukselit zyrtar dhe Presidentes së Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, për mbështetjen, vullnetin e mirë ndaj Shqipërisë si edhe besimi ndaj progresit të arritur në përmbushjen e reformave integruese.

Presidenti i Republikës vlerësoi si inkurajues faktin që zgjerimi i unionit në Ballkanin Perëndimor është rikthyer fuqishëm në agjendën politike të Bashkimit Evropian.

“Bashkimi Evropian, duke ndjekur një politikë të besueshme zgjerimi, mundëson nxitjen e reformave dhe të shpresës për integrimin e plotë evropian të Ballkanit Perëndimor”, – vlerësoi Presidenti i Republikës,  Bajram Begaj./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›